Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar atë se ka përdorur shumicën parlamentare për ta mbrojtur nga drejtësia.

Në një reagim publik, Bardhi shprehet se Rama është tashmë “shah-mat” në rastin Balluku dhe se, pavarësisht përpjekjeve për të distancuar veten nga kjo çështje, përgjegjësia politike e tij është e qartë. Sipas Bardhit, prova konkrete e mbrojtjes politike është votimi i 12 marsit 2026, kur 82 deputetë të shumicës qeverisëse refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Ballukut.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thekson se ky vendim është evidentuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, ku janë ngritur shqetësime për kontrollin dhe balancën mes pushteteve, si dhe për zbatimin e parimit të barazisë përpara ligjit. Bardhi ngre gjithashtu akuza për pazare politike mes Ramës dhe segmenteve të drejtësisë, duke deklaruar se rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni dhe mbrojtja politike.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Edi Rama, shah-mat me Belinda Ballukun!
Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia. Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat. 82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament. Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre. Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb