Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në Kukës aktivitetin “Deputeti që duam”, ku në fjalën e tij, u ndal dhe tek aeroporti, duke thënë se do bëjë çmos që ky projekt të finalizohet.

Kryeministri Rama theksoi se ndërtimi i këtij aeroporti do të hapë 1 mijë vende pune direkte, si dhe mijëra vende të tjera pune, që do të krijohen si rrjedhojë e aeroportit. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se ndërtimi i këtij aeroporti do të rrisë dhe interesin e investitorëve të huaj për turizmin malor.

“Sa fushata janë dashur për të arritur në ditën që vërtet aeroporti u kthye në një kantier ndërtimi. Ndokush nga ata që nuk duan të kuptojnë thotë se aeroporti aty ishte gati. Por nëse do të ishte gati, madje gjysmëgati, parafytyroni sa herë do ta kishte inauguar Saliu, por nuk ishte gati. Ishte një pistë e ndërtuar me bujari të madhe nga mbreti i Emirateve të Bashkuara dhe e asistuar këtu nga vetë princi i kurorës, por u ndërtua në atë kohë për të ulur thjesht dhe vetëm mjetet që sillnin ndihma për ata që u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga Kosova. Nuk ishte absolutisht një pistë, që mund të shërbente si një aeroport ndërkombëtar, me të gjitha standardet e garancitë për të ulur këtu avionët e pasagjerëve. Dhe ja ku jemi sot, është një kantier i madh që është në punë intensivisht. Janë zgjidhur problemet edhe me të gjithë banorët përreth, terren e të cilëve janë në shërbim të aeroportit.

Kemi një ambicie shumë të madhe për ta kthyer Kukësin në një pikë referimi, jo vetëm për banorët e Kukësit, apo për ata që do t’i sjell këtu se s’bën me avion, edhe falas, për të votuar për PD. Do marr ata që kanë sharë e janë tallur më shumë në ‘Facebook’ tim. Por Kukësi do të shërbejë edhe për gjithë të tjerët, në Tiranë e kudo, që do të sigurojë linja që nuk i ka e s’do t’i ketë as Tirana dhe as Prishtina. Ky aeroport do të sjellë 1 mijë vende pune direkte dhe mijëra vende të tjera, që do të krijohen si rrjedhojë e aeroportit. Aeroportet nuk janë pista për vallëzim, as për qejf, por janë fabrika zhvillimi, që sjellin me vete shumë aktivitete të tjera. 1 euro e investuar në një aeroport llogaritet të sjellë 17-23 euro të tjera, si rezultat i atij investimi. Do duhen patjetër të krijohen edhe kushte të reja për investitorë, që duke pasur aeroportin këtu do kenë një sy tjetër për të parë se si do të zhvillohet turizmi malor. Kukësi ka Shtavecin, që është një ëndërr tjetër për ta pasur si pikë turistike. duke pasur aeroportin këtu mundësia për të zhvilluar pistën e skive bëhet më reale. Kjo është arsyeja pse kam këmbëngulur pa pushim që të ndërtohet aeroporti i Kukësit dhe po bëjmë çmos të finalizojmë procesin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb