Studenti Klevis Tako ka kërkuar largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se të rinjtë do të vijojnë protestat pavarësisht dhunës së ushtruar, sipas tij, nga forcat e policisë. Në një intervistë për News24, ai u shpreh se plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit ishte një pasojë e parashikueshme e mënyrës se si policia ka ndërhyrë gjatë protestave.
Tako theksoi se studentët vazhdojnë të qëndrojnë në shesh sepse kërkojnë një të ardhme më të mirë, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë politikash që lehtësojnë jetesën e të rinjve. Ai solli si shembull diferencën mes pagës minimale dhe kostos së qirave, duke argumentuar se shumë studentë dhe të rinj e kanë të vështirë të përballojnë jetesën.
Studenti kritikoi gjithashtu klasën politike shqiptare, duke kujtuar se që nga lindja e tij, në vitin 2006, vendi është drejtuar nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të mënyrës së qeverisjes.
“Me ato gjuajtje që bënte policia, ishte e pritshme që do të ndodhte një situatë e tillë si ajo me Erjonin. Pavarësisht dhunës brutale, shqiptarët janë në shesh. Kjo qeveri duhet të largohet. Na mban në shesh shpresa për të ardhmen. Brezat më të mëdhenj se ne janë pragmatikë, por ne jemi një brez më idealist. Duhet të largohet kjo qeveri që na ka marrë nga fëmijëria deri sot.
Unë kam lindur në vitin 2006. Në atë periudhë ishte Berisha kryeministër, ndërsa kur isha në klasë të parë, kryeministër ishte Rama. Duhet ndryshim nga kjo mënyrë politikëbërjeje.
Kostot e jetesës janë të larta. Rroga minimale llogaritet 45 mijë lekë të reja, ndërsa qiraja minimale varion nga 35 deri në 40 mijë lekë të reja. Qeveria nuk ndërhyn, edhe pse i ka mundësitë të bëjë diçka të tillë, por zgjedh të mos e bëjë. Në konviktet që duhet të ishin për studentët, qëndrojnë të huaj.
Rama i plotëson të gjitha kushtet për t’u quajtur diktator. Lufta në shesh nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Duhet edhe lufta në kutitë e votimit”, tha mes të tjerash ai.
