TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dalë sot para mediave për të informuar për Samitin e Triestes, ku mori pjesë dy ditë më parë. Duke iu referuar shkrimeve në media për krijimin e tregut të përbashkët nën drejtimin e Serbisë, Rama tha se nuk ka broçkull më të madhe se krijimi i Jugosllavisë. Kreu i qeverisë tha se procesi i Berlinit, në kuadër të të cilit ishte edhe samiti i Triestes ka sjellë një progres të madh sidomos nën drejtimin e kancelares gjermane.

KONFERENCA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMA

“Aspekti themelor i procesit të Berlinit mbetet në planin politik si një plan ku është bërë një progres i paimagjinueshëm deri përpara se ky proces të iniciohej nga kancelarja Merkel. Një progres ku nuk përbën asgjë historike takimi i liderëve të rajonit por është rutinë siç duhet të jetë dhe nga ana tjetër se jetojmë në një fazë tjetër të zhvillimit të rajonit ku vullneti i çdo vendi për axhendën rajonale dhe evropiane është në nivelin më të lartë”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi organizimin e tregut të përbashkët në vendet e Ballkanit duke kundërshtuar zërat anti këtij projekti. Rama u ndal në disa aspekte lehtësuese që sjell krijimi i tregut të përbashkët rajonal.

“Dua të nënvizoj rëndësinë e një hapi të hedhur në këtë samit, organizimin e një tregu të përbashkët rajonal, duke hedhur poshtë kundërshtitë qesharake ndaj këtij projekti për të nënvizuar atë që është thelbësisht e vërteta e këtij projekti. Rritje e kapaciteteve të rajonit për të pasur treg më të madh të vendeve tona. Hiqen barrierat penguese jo tarifore dhe një rritje edhe në aspektin e rritjes së rajonit për t’iu bashkëngjitur tregut të përbashkët evropian”, u shpreh shefi i qeverisë.

Ai tha se ky projekt është në vijim të procesit të integrimit.

“E kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që lidhen me këtë projekt. Është tërësisht evropian dhe mbështet në frymën evropiane të bashkëveprimit. Nuk përbën zgjidhje alternative por një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të rajonit në BE dhe nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë se sa broçkulla e krijimit e rikrijimit të Jugosllavisë. Jemi duke hedhur hapa përpara në një proces tërësor”, deklaroi Rama.

Po ashtu kreu i qeverisë shtoi se: “Jemi duke hedhur hapa për bashkëpunim mes vendeve të rajonit. Edhe sot e gjithë ditën gjurmët apo vazhdimësia ë këtyre bashkëpunimeve janë të prekshme për këdo që do të mësojë, pa thënë fjalën e fundit të parën, dhe pa folur broçkulla siç janë thënë në katundin tonë politik dhe mediatik. Ajo që duhet marrë në thelb nga çka është zhvilluar nga ky proces, është s’e ai ka marrë një kohë të nevojshme për të përgatitur projektet e nevojshme. Është avancuar me projektin e fizibilitetit me korridorin blu, apo të kaltër. Këtu Shqipëria ka një pjesë të konsiderueshme që do lidh jugun e Kroacisë, malin e zi dhe Shqipërinë me linjën mesdhetare. Së shpejti do të çelet gara për segmentin hekurudhor Tiranë-Durrës dhe përfshin Aeroportin e Rinasit dhe një sërë projektesh të tjera. Këto janë kohët europiane dhe gjithçka shkon sipas standardeve. Është një kohë që varion nga 3-5-7 vite, sipas madhësisë së projektit. Besoj se jemi në drejtimin e duhur, ashtu sikur besoj në fillimin e realizimit të programit të qeverisë shqiptare, që nis këtë vjeshtë me rrugën e Arbrit, deri poshtë në rrugën lidhëse Delvinë-Kardhiq. Në 4 vitet e ardhshme do kemi një transformimin të rëndësishëm. Nuk është vetëm infrastruktura rrugore, por edhe ajo shkollore. Synimi është që brenda 4-vjeçarit të përmbushim objektivin e ndërtimit të 100 shkollave të reja dhe rindërtimit të atyre që janë ekzistuese.

Mes të tjerash Rama bëri edhe një ‘marrëveshje’ me gazetarët që ata të shmangnin pyetjet lidhur me listën që publikoi në ‘Fb’, me emra të denoncuar nga qytetarët.

“Duhet të pranoni marrëveshje që të bëni pyetje dhe mos të bëni pyetje si ato kronikat e ‘listës së zezë’”, tha Rama.

Pyetjes së gazetarit për tregun e përbashkët rajonal, Rama iu përgjigj se: “Çdo vend ka budallenjtë e vet”. “Interpretimet ekstremë që janë bërë do ketë skepticizëm të arsyeshëm. Ajo që është e rëndësishme është që projekti është pranuar.

Gazetari: Simboli i Samitit të Triestes mbetën atletet tuaja. A keni përgjigje për komentet?
Rama:
(Qesh). Jo. Atje është një botë ku njerëzit e kanë mbyllur me kohë çështjen e lirisë për veshjen dhe të drejtën themelore të shoqërisë. Nuk kam ndërmend të merrem me ata që kanë ngelur peng i ‘shfaqjeve’ të huaja dhe Saliut të vjetër.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb