Lëvizja qytetare kundër qeverisë vijon edhe sot, teksa në Tiranë do të mbahet protesta e 52-të radhazi.

Ashtu si në ditët e mëparshme, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Prej më shumë se 50 ditësh, qytetarët protestojnë çdo ditë në kryeqytet, duke kundërshtuar jo vetëm projektin e investimit në Zvërnec, por edhe një sërë ligjesh që, sipas tyre, favorizojnë interesa të ngushta dhe dëmtojnë interesin publik.

Në protestat e deritanishme nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore.

Dje paradite, protesta u zhvillua edhe para godinës së Kuvendit, ku protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve të disa deputetëve, në shenjë kundërshtimi ndaj mazhorancës. Aksioni u shoqërua me masa të forta sigurie dhe tensione, ndërsa seanca plenare u ndërpre disa herë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë çdo ditë, duke theksuar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë, të enjten protesta pritet të zhvendoset sërish paradite para godinës së Kuvendit, ku do të zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. Organizatorët synojnë të ushtrojnë presion ndaj deputetëve në ditën e mbylljes së punimeve të Parlamentit, ndërsa më pas tubimi pritet të vijojë sipas axhendës së lëvizjes qytetare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb