Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shkuar në Surrel, përballë vilës së kryeministrit Edi Rama, për të krahasuar pasurinë e deklaruar të kreut të qeverisë me pronën reale.
Shehaj tha se, pas sulmeve të Ramës dhe propagandës qeveritare ndaj vilës së tij që shiti 15 milionë euro në Itali, vendosi të shihte nga afër vilën e kryeministrit, e cila sipas deklarimit të pasurisë së Ramës ka kushtuar rreth 400 mijë euro.
Sipas Shehajt, bëhet fjalë për një pronë me 4 godina dhe mbi 1000 m² ndërtim, ndaj deklarimi i një vlere të tillë është “tallje” me shqiptarët.
Shehaj thotë se mediat pranë Ramës nuk janë mësuar me politikanë që e deklarojnë pasurinë hapur dhe nuk kanë asgjë për të fshehur.
“Po shikoj vilën e Edi Ramës. Se pasi u mor me vilën time, thashë: “Ore, kjo vila e Edi Ramës që ka deklaruar 400 mijë € vlerë, ja ku e keni deklaratën e pasurisë së Edi Ramës”, thashë ta shikoj njëherë.
Tani ka 4 godina, mbi 1000 m² ndërtim dhe thotë ka kushtuar mbi 400 mijë €.
Tani mediat dhe propaganda e Edi Ramës qartësisht nuk merren me këtë vilën, që ja bën “mu”, që është një vilë e ndërtuar me para të pista, me paratë e korrupsionit. Por merren me vilën time prej 15 milion €.
Unë kam shitur një vilë prej pothuajse 500 m², në Forte dei Marmi, një nga zonat më të shtrenjta të Italisë, dhe çuditen këta.
Tani unë e kuptoj që kjo gjë ju prish punë juve. Se nuk ishit mësuar. Ju ishit mësuar që të gjithë gënjenit. Njëri thoshte: “Kam një apartament, një makinë e kam marrë me kredi” edhe të gjithë të njëjtën gjë.
Tani kur vjen dikush dhe thotë të vërtetën sepse s’kam pse t’i fsheh, sepse janë paratë që kam fituar me punë dhe me sakrifica në vite.
Tani ju keni nevojë të më sulmoni mua, duhet të thoni që unë gënjej, se po nuk thatë që unë gënjej, ngjan shumë keq ky tjetri me 400 mijë € vilë, 4 godina mbi 1000 m². Atij vetëm kondicionimi do i ketë shkuar më shumë se 400 mijë €. Ky thotë: “Jo, e kam bërë të gjithën me 400 mijë €”. Çmenduri, kjo është tallje.
Dhe habiteni pastaj pse dalin njerëzit në bulevard prej 1 muaj e gjysmë dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Po normale, se ju ka ardhur në majë të hundës. Nuk mund të vazhdoni t’i gënjeni.
Ju ka ardhur fundi! Do largoheni, nuk keni çfarë të bëni!” – deklaroi Shehaj.
