Gazetari Erl Murati, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, e cilësoi ndryshim kursi të Ramës me drejtësinë, në krahasim me sjelljet e tij para arrestimit të Erion Veliajt.
Murati tha se nëse deri dje, kryeministri shkarkonte vartësit e tij dhe lejonte SPAK t’i hetonte në gjendje të lirë, në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, si dhe zv/kryeministres Belinda Balluku dhe drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilat janë me masa sigurie nga SPAK, sot ka vendosur të jetë përballë institucioneve të drejtësisë.
Erl Murati: Ka një ndryshim të raportit të Ramës me drejtësinë gjatë javëve të fundit dhe shihet në disa elementë. Deri dje kemi parë se kryeministri shkarkonte vartësit e tij dhe ata bëheshin objekt të SPAK si Ahmetaj dhe Ilir Beqaj.
Ne e vumë re ndryshimin e kursit që me arrestimin e Erion Veliajt, i cili u arrestua në detyrë ndërkohë 1 ose dytë para ishte në aktivitet me Ramën, po kështu në vazhdimësi me zyrtarë të tjerë, me Mirlinda Karçanaj dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Pra kemi një ndryshim të raportit të kryeministrit me drejtësinë, nuk e dimë pse ka ndodhur, nëse deri dje kishte informacion për këta që do të goditeshin dhe i lëshonte para se drejtësia ti godiste, apo sepse nuk ndihej i implikuar dhe tani ka vendosur t’i mbrojë.
Kjo mbetet për tu parë me kalimin e kohës. Deri dje kishte vendosur të mbante një qëndrim të tipit :bashkëpunëtorët e mi hanë dardha pas shpinës time dhe përgjegjësia është individuale. Tani ai ka vendosur ti mbrojë të gjithë të goditurit nga drejtësia. Sot që flasim drejtorëshë e AKSHI-it, është Karcanaj. Sot që flasim, edhe pse është e pandehur, zv/kryeministre mbetet Belinda Balluku.
