Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Frontline”News24 foli për zgjedhjet e 14 majit dhe situatën politike në vend.

Në bisedën në studio, me gazetaren Marsela Karapanço, ish-presidenti ka komentuar edhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili më herët ka theksuar se ‘kryeministri Rama ka pushtet 10 % më shumë se Ramiz Alia’, teksa me tone ironizues, Topi pyet se ‘kush ia mundësoi kryeministrit këto pushtete!?’, duke lënë të kuptohet se edhe vetë opozita është fajtore për gjendjen në të cilën ndodhet vendi sot.

Sakaq ai tha se sot ‘ndodhemi në të ashtuquajturën demokraci, pasi kryeministri ka pushtet të pakufizuar’.

“Berisha tha sot në Krujë se Rama ka ‘10% më shumë pushtet se Ramiz Alia’. E vërtetë, por kush ia dha Ramës? Ai ia dha. Ramiz Alia kishte një sens të modernizimit, se e dinte se çfarë e priste, tek e fundit në ato zgjedhje ai u rrëzua dhe u dorëzua. Por këta janë në fuqi eksponenciale, Ramiz Alia në katror, në kub si të doni ju. Ramës i kanë dhënë pushtet të pakufizuar. Ne jemi në të ashtuquajturën demokraci. Kur ne diskutojmë për historinë e demokracisë, nuk diskutojmë për veten, por për gjeneratat. I cilëson zgjedhjet lokale si ‘zgjedhjet e jetës’. Një politikan karriere di që ti ndajë gjërat. Punon për sistemin, jemi në demokraci dhe sistemi nuk të lejon rotacion”, tha Topi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb