Analisti Agim Baçi, i ftuar në programin e drekës në News24, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me takimet e tij me biznesmenë, disa prej të cilëve janë nën akuzë penale.

Baçi u shpreh se ideja e krijimit të AKSHi-t ka qenë brilante, por sipas tij menaxhimi aktual nuk lë vend për krenari. Ai theksoi se kryeministri nuk mund të bëjë deklarata kaq kontradiktore, duke qenë se persona që drejtojnë AKSHI-n janë nën hetim penal.

Sipas analistit, Rama është sforcuar për të mbrojtur ministren Belinda Balluku, ndërsa në deklaratat e fundit ka bërë të kundërtën, çka tregon se të akuzuarit mund të jenë persona të afërt me të.

“Një kryeministër nuk mund të takojë një biznesmen për t’i dhënë një tender. Kjo tregon pabarazi dhe përbën shkelje. Ai krenohet me biznesmenë që janë nën akuzë dhe mbron hapur një shkelje,” u shpreh Baçi.

Duke folur për çështjen e heqjes së imunitetit të Ballukut, Baçi ngriti pyetjen nëse kjo minon punën e Parlamentit. Sipas tij, Kuvendi duhej të ndërhynte për të ndryshuar qëndrimin ndaj akuzave.

“Kur qeveria nuk zbaton vendimet e gjykatës, kemi të bëjmë me grusht shteti. Rama u bë palë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i gjykoi ato. Atij i intereson që të mos përshkallëzojë konfliktin me gjyqësorin,” tha analisti.

Sa i përket foltoreve dhe kreut të Partisë Demokratike, Baçi u shpreh se Sali Berisha e ka bërë të qartë se opozita është një dhe se ajo është e pavarur nga partitë e reja. Sipas tij, Berisha është i braktisur nga çdo faktor ndërkombëtar.

“Protesta e opozitës nuk solli asgjë. Në deklaratën e tij në tryezë, Berisha u përpoq të tregonte se nuk ka opozitë tjetër, ndërkohë që Lapaj dhe Shehaj po mbajnë protestat e tyre. Salianji është jashtë formatit të PD-së. Partia Demokratike është më e madhe se Sali Berisha dhe njerëzit që ai ka zgjedhur. Interesi i shqiptarëve është më i madh se interesi personal i tij. Berisha është i braktisur nga çdo ndërkombëtar, madje as presidenti i Kosovës nuk e takon më, jo më përfaqësuesit e SHBA-së,” shtoi Baçi.

Në lidhje me Adriatik Lapajn, analisti theksoi se tryezat e tij kanë dallime nga ato të kreut të PD-së dhe se Berisha e ka bazuar gjithë politikën e tij vetëm te dosjet që dalin në SPAK.

Baçi përfundoi duke thënë se opozita ndodhet në një ngërç të thellë, ndërsa Lapaj po përpiqet të rindërtojë imazhin e tij politik, por ka bërë dy gabime të mëdha: së pari, nuk arriti të krijojë koalicion para zgjedhjeve dhe së dyti, ndikimi negativ i debatit Lapaj–Shabani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb