Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një  deklaratë për mediat është shprehur se në regjimin mafioz të kryeministrit Edi Rama, fjala e lirë është e rrezikuar.

“Nuk është rastësi që vit pas viti Shqipëria shënon përkeqësim në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, si pasojë e situatës së përkeqësuar nga kërcënimet e pavarësisë editoriale, cenimin e integritetit fizik të gazetarëve nga krimi i organizuar dhe dështimin e shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gazetarët edhe nga dhuna e pajustifikuar policore”, tha Tedi Blushi.

Gjithashtu theksoi se përkeqësimi i lirisë së medias është rezultat i kapjes së shtetit dhe korrupsionit skizofrenik që po ndodh në vend.

Deklarata e plotë:

Partia e Lirisë dënon me ashpërsinë më të madhe ngjarjet shumë të rënda kriminale të dhunimit, kërcënimit e goditjes me armë zjarri, si dhe të pengmarrjes të gazetarëve kurajozë të emisionit investigativ “Fiks Fare” në Krujë, si edhe rrahjen barbare të qendër të Lezhës të gazetarit njohur Elvis Hila nga persona të pamaskuar dhe të pamëshirshëm që nuk kursyen sulmin fizik as ndaj bashkëshortes së tij, e pranishme në vendngjarje.

Këto sulme të dënueshme ndaj fjalës së lirë janë vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit dhe bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend nga Edi Rama.

Heshtja e Qeverisë, e Policisë së Shtetit dhe e institucioneve ligjzbatuese të kapura nga “Rilindja”, që i braktisën pa mbrojtje gazetarët për minuta të tëra në duart e krimit në Krujë dhe Lezhë, faktojnë se janë pikërisht ata frymëzuesit e dhunës ndaj medias.

Në këtë regjim mafioz dhuna fizike dhe çnjerëzore, kërcënimet, shantazhet dhe presionet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura janë kthyer në model.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi do të mbahen mend për rekordet më të zeza të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, edhe më shumë se në zonat e konflikteve të armatosura, ku reporterët merren peng dhe kërcënohen në mes të ditës në zemër të qyteteve të Shqipërisë dhe askush nuk i mbron, por as thotë edhe një fjalë për dënimin e autorëve.

Nuk është rastësi që vit pas viti Shqipëria shënon përkeqësim në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, si pasojë e situatës së përkeqësuar nga kërcënimet e pavarësisë editoriale, cenimin e integritetit fizik të gazetarëve nga krimi i organizuar dhe dështimin e shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gazetarët edhe nga dhuna e pajustifikuar policore.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike, si edhe të llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike, u bëjmë thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit të ngrihen në këmbë dhe të reagojnë fuqimisht ndaj këtyre akteve të barbarisë ndaj gazetarëve shqiptarë.

Partia e Lirisë kërkon nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, Komisioni i Helsinkit të Kongresit Amerikan, Amnisty International, Human Right Ëatch, Reporterët pa Kufij dhe të gjitha organizatat prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre për t’i kërkuar Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të ndalin dhunën ndaj reporterëve dhe mediave të pavarura në Shqipëri!

Pa gazetarë të lirë nuk ka demokraci!

Përkeqësimi i lirisë të medias është rezultat i kapjes të shtetit dhe korrupsionit skizofrenik që po ndodh. Vetëm largimi i “Rilindjes” dhe këtij Kryeministri përmirëson lirinë e medias dhe garanton të drejtat e gazetarëve.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë reporterët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë dhe informimit publik, apelojmë me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë, si dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.

Partia e Lirisë është dhe do të jetë gjithmonë në krah të gazetarëve kurajozë dhe të pavarur për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias.

Dhuna e regjimit mafioz të Edi Ramës kundër gazetarëve ka për qëllim mbylljen e gojës së medias për të mos folur për korrupsionin dhe inkriminimin e Qeverisë.

Kur liria e fjalës është në rrezik, e ardhmja e çdo shqiptari është në rrezik!

Ndaj në 11 shkurt është dita që qytetarët të thonë fjalën e tyre në protestën kombëtare të thirrur nga Opozita e Bashkuar, në ora 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, që sot është më e kërcënuar se kurrë nga regjimi mafioz i Edi Ramës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb