Të martën Këshilli Bashkiak votoi unanimisht shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke përdorur si argument ligjor mungesën e tij prej më shumë se 3 muaj në krye të institucionit.
Ndërsa hapi i radhës i takon Këshillit të Ministrave për të vulosur vendimmarrjen e parlamentit të qytetit. Sot Prefekti i Qarkut Tiranë i ka përcjellë vendimin Qeverisë për veprime të mëtejshme.
BalkanWeb mëson se Qeveria pritet të mblidhet të enjten, më 25 shtator, në orën 12:00, ku në rend dite është vendimmarrja për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas ligjit, është qeveria që ka fjalën e fundit për përfundimin e mandatit të një kryebashkiaku, ndaj vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Ministrave.
Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota pro shkarkimit të Erion Veliajt. PS dhe PD bashkuan votat në Këshillin Bashkiak.
Erion Veliaj ndodhet në masën arrest me burg prej 11 shkurtit të këtij viti, ndërsa SPAK ka ngritur ndaj tij akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Dosja “Veliaj” u dërgua në GJKKO disa ditë më parë dhe tani kryebashkiakut të shkarkuar i duhet të përballet me drejtësinë në etapën finale dhe vendimtare për fatin e tij.
Akuzat rëndojnë edhe mbi bashkëshorten e tij Ajola Xoxa si dhe biznesmenët Gentian Sula, Elman Abule, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, të gjithë të lënë në detyrim paraqitje.
