Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarët e qeverisë. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave.

Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, Rama mund të njoftojë ndryshime në kabinetin qeveritar, ndërsa në fokus pritet të jetë edhe mënyra e re e organizimit të socialistëve në terren, e konceptuar përmes nismës “Prania Besnike”.

Mbledhja e sotme vjen një ditë pas takimit të zhvilluar në Vilën e Kuqe në Tiranë, ku Kryeministri Rama mblodhi drejtuesit politikë, ministrat dhe zëvendësministrat.

Në takimin e djeshëm u diskutua për kalendarizimin e nismës “Prania Besnike” në çdo territor, si edhe për punën lidhur me ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”.

Takimi në Vilën e Kuqe zgjati më shumë se katër orë. Pas përfundimit të tij u bënë publike edhe një sërë vendimesh dhe projektligjesh të qeverisë, që prekin fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe rindërtimin, sigurinë publike, administrimin e objekteve të konfiskuara, si dhe marrëveshjet fiskale me vende të tjera.

Në mbledhjen e sotme pritet të dalin në pah drejtimet e reja të qeverisë dhe të Partisë Socialiste, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Rama do të bëjë zyrtare ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb