Mjeku Ermal Pasha ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si ka reaguar pas plagosjes së rëndë të protestuesit Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit dhe u transferua në Itali për trajtim të specializuar.
Në një intervistë për News24, Pasha deklaroi se fakti që një qytetar duhet të dërgohet jashtë vendit për një ndërhyrje kirurgjikale tregon, sipas tij, mungesën e kapaciteteve të sistemit shëndetësor shqiptar.
Mjeku theksoi se protesta e sotme, e 13-ta që prej nisjes së revoltës studentore, është zhvilluar nën tronditjen e plagosjes së 28-vjeçarit, ndërsa shumë pjesëmarrës kanë vendosur fasha në njërin sy në shenjë solidariteti me të.
“Dita e sotme ishte një tronditje për të gjithë protestën pas fatkeqësisë së djeshme, që ishte një ditë shumë e ngarkuar dhe nuk kishte pse të merrte atë lloj rrjedhe. Për t’u bashkuar me dhimbjen dhe fatkeqësinë, shumë protestues kishin mbuluar njërin sy me fashë”, u shpreh Pasha.
Ai përdori shprehjen “Rama të vret e të qan”, duke kritikuar kryeministrin për deklaratat lidhur me transferimin e Vishkullit në Itali.
Pasha falënderoi mjekët e Spitalit Universitar të Traumës për ndihmën e parë të dhënë ndaj të riut, por ngriti shqetësimin se sistemi shëndetësor shqiptar nuk ka mundur t’i ofrojë trajtimin e nevojshëm brenda vendit.
“Duke falënderuar mjekët e Spitalit Ushtarak, që kanë bërë një punë të mrekullueshme për ndihmën e parë, transferimi i sotëm na çon në një situatë që e ka ndezur edhe më shumë revoltën. Në kaq vite kemi ende pamundësi të mjekësisë shqiptare për të trajtuar një kirurgji relativisht të vështirë në sy”, deklaroi ai.
Sipas mjekut, është e papranueshme që Shqipëria, megjithëse përgatit prej vitesh specialistë të mjekësisë, të mos ketë kapacitetet e nevojshme për trajtimin e rasteve të tilla.
“Një shkollë që nxjerr prej vitesh specialistë ende nuk ka mundësitë e nevojshme dhe detyrohet që një pacient të transferohet për të marrë shërbim jashtë kufijve shqiptarë. Na u dashkan mënyrat e bamirësit që ngre në këmbë shërbimet e shtetit për t’i dhënë ndihmë një njeriu jashtë vendit”, u shpreh Pasha.
Ai theksoi se pikërisht mungesa e shërbimeve dhe e mundësive për qytetarët është një nga arsyet që i ka shtyrë të rinjtë të dalin në protestë.
“Për këtë protestojmë! Jemi një vend që nuk ka kapacitetet t’u shërbejë shtetasve të vet”, deklaroi mjeku.
Pasha ngriti gjithashtu akuza për ndikimin e nepotizmit në institucionet shtetërore, duke përmendur policinë dhe sistemin shëndetësor.
“Nepotizmi shtrihet në polici, ku nuk mendoj se nuk e dinë që, po të qëllosh në lartësinë e kokës, mund të shkaktosh dëme të tilla, ashtu siç ndikon edhe në ndihmën që mund të marrin pacientët në spitale”, tha ai.
