Pas një takimi me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve në Berat, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë strategjike të këtij sektori në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe vizionit “Shqipëria 2030”.

“Ky sektor po përpiqet seriozisht të kuptojë dhe të përfitojë nga procesi i anëtarësimit në BE – një përpjekje që shpesh mungon në sektorin privat në tërësi,” u shpreh Rama.

Një nga pikat më interesante të diskutimit ishte propozimi për ndërtimin në Shqipëri të muzeut të parë tërësisht të bazuar në inteligjencën artificiale, një projekt inovativ i një startup-i shqiptar.

“Do të angazhohem personalisht për të parë mundësinë që kjo teknologji të përdoret në Shqipëri. Ky projekt mund të ndryshojë tërësisht mënyrën si funksionon sektori i arkitekturës dhe përvojës kulturore në vend,” tha kryeministri.

Rama njoftoi gjithashtu se është rënë dakord për ngritjen e një forumi të përbashkët që do të zhvillohet të paktën një herë në katër muaj, me fokus në risitë dhe sfidat e sektorit të teknologjisë dhe inovacionit.

Ai shtoi se do të hartohet një marrëveshje kuadër mes qeverisë dhe sektorit, ku do të angazhohen ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin dhe ministrja e Arsimit.

“Qëllimi është të sigurohet akses i drejtpërdrejtë në strukturat shtetërore dhe të dhëna, për të ndërtuar modele të dobishme të inteligjencës artificiale në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve publike”, tha Rama duke shtuar se produktet dhe projektet inovative shqiptare duhet të promovohen jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve.

Në fund, Rama theksoi se në qeverinë e tij do të emërohet një ministër shteti për inteligjencën artificiale i cili do të zgjidhet nga vetë përfaqësuesit e teknologjisë dhe inovacionit.

Duke bërë batuta me të rinjtë pjesëmarrës në një takim të zhvilluar në Berat, Rama tha se “nëse ata do të gjenin një model të AI që të zgjedhin ministrin, do jetë hapi i parë drejt momentit historik ku Shqipëria do të jetë e para që do të zgjedhë qeverinë tërësisht me ministra dhe kryeministër AI”.

“Pastaj do punojë AI dhe ne do bëjmë muhabet pa patur mundësi të marrim vendime”, vijoi Rama.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb