TIRANË

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë moral protestuesve të opozitës në konferencën e sotme me gazetarët, e sidomos atyre që kanë përfunduar pas hekurave pasi janë arrestuar nga policia në protestat e kaluara.

Rama tha se gjithkush ka të drejtë të mbështesë kë të dojë por jo të kërcënojë liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Ai iu kërkoi të mos i heqin lirinë vetes për liderët e opozitës duke i përmendur me emër.

“Jeni ju që i ndiqni pas, ju që po më shikoni dhe po më dëgjoni mua dhe që keni gjithë të drejtën të doni dikë tjetër dhe të mbështesni dikë tjetër dhe të kërkoni diçka tjetër në formën e qeverisjes.
Sot ka një gjyq për të shtunën. Janë njerëz të zakonshëm, njerëz të manipuluar dhe të nxitur për të bërë dhunë që duhet ta pyesin me siguri veten për kë e bëra.
Të gjithë kanë të drejtën të mendojnë në mënyra të ndryshme, forma të ndryshme, por kush shkon përtej të drejtës për të pasur mendimin e qëndrimin e vet dhe kërcënon lirinë dhe të drejtat e të tjerëve është i tepërt në territorin ku lëvizin njerëzit e lirë dhe pastaj e vazhdon një pjesë të jetës ku shteti dënon ata që mbahen në heqje lirie. Dhe për kë? Për Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, për Saliun apo të tjerët me radhë. Njerëz që s’kanë asnjë sens të historisë, asnjë sens të së ardhmes por kanë të gjithë energjinë negative që prodhon me furi dëshpërimi dhe verbëria, mungesë e plotë vizioni, mungesë e plotë idesh. Si mund të zëvendësohet vizioni me zjarrin, idetë me kapsolla. Si mund të zëvendësohet qenia e një partie politike që është një alternativë për t’u votuar me një trup pa kokë që e marrin këmbët dhe e sjellin vërdallë nëpër tiranë për të bërë dëm dhe kërcënuar të tjerët se po nuk u hap rruga do bëjmë dhe më shumë dëm”, deklaroi Rama.

Ai shprehu mirënjohjen dhe respektin për policinë por edhe për gazetarët e kameramanët.

“Është e papranueshme dhe natyrisht për sa më takon është momenti përsëri për të shprehur mirënjohjen me të thellë për të gjithë sakrificën që bëjnë njerëzit nën uniformë, respekt edhe për ata gazetarë e kameramanë që për të bërë punën e tyre janë në zona me rrezik. Bomabt molotov janë krijesa të luftës së Spanjës. Me bomba molotov hidheshin në erë tanket. Një molotov që plas ngjitur me trupin e njeriut e hedh në erë njeriun. Nuk është lojë, janë mjete luftarake. Dhe po kështu ato kapsolla. Ishim këtu kur një kapsollë i preu dorën një vajze të re efektive të policisë. Mund t’i kishte hedhur kokën në erë sepse i ra mes qafës dhe shallit. Parafytyro çfarë tragjedie do ishte?!
Si ai që duke vajtur pas Berihait, mori flakë se kishte hequr dhe rrobat se normal këtu tek dera e km vapë e madhe nga gjithë ato flakë. Kjo është shfaqje papërgjegjshmërie.
Respekt të madh për policinë dhe ata që kanë marrë plagë në këto shfaqje absurde dhune, verbërie dhe barbarie politike”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb