Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për qëndrimin e kryeministrit Edi Rama gjatë protestës së fundit të opozitës më 24 janar, duke e akuzuar atë për mungesë përgjegjësie dhe shmangie nga përballja me qytetarët.

Sipas Blushit, kryeministri është larguar nga vendi në ditën e protestës dhe është rikthyer vetëm një ditë më pas, së bashku me familjen e tij. “Edi Rama u arratis në datën e protestës në 24 janar dhe u kthye ditën e nesërme bashkë me familjen e tij. Një kryeministër nuk ka pushim. Tani mund të fshihet pas Facebook-ut ose pas fustanit të Belindës”, tha ai.

Blushi përdori tone të ashpra edhe ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila sipas tij është e akuzuar nga SPAK, duke e cilësuar atë si simbol të pabarazisë sociale. “Të rinjtë sot dhe shumë njerëz bëjnë 2-3 punë dhe ende nuk kanë shtëpi, ndërkohë Belinda Balluku ka 300 apartamente”, u shpreh ai.

Ai theksoi se blerja e një shtëpie për shumicën e qytetarëve kërkon një jetë të tërë pune dhe shlyerje kredish, ndërsa sipas tij, pasuria e Ballukut është e pajustifikueshme. “Duhet të punosh një jetë për të larë një kredi për shtëpi me punë të ndershme”, shtoi Blushi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb