LIBRAZHD– Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Librazhdit, ku mbylli dhe fushatën elektorale, theksoi se Partia Demokratike ka humbur rrugën pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013.

Teksa ftoi qytetarët që të votonin kandidatin e ASHE-së, Kastriot Gurra, Rama tha se pas 21 qershorit do bëhet më shumë se në 25 vite bashkë.

“Si asnjë herë më parë familjet që jetojnë në fshat do të kenë më në fund derën ku të trokasin. Aleanca e Shqipërisë Evropianë është më e vendosur se kurrë për të bërë realitet shtetin që shqiptarët kanë nevojë. PD pasi e rinoi shtetin dhe pasi mori atë që meritonte në zgjedhjet e kaluara, ka dy vjet që nuk merr dot veten dhe bën avokatin mbrojtës të atij pushteti që ishte. Ky dallim është i qartë këtu, midis Kastriotit, një djali shumë energjik dhe administratori shumë të aftë. E kam njohur kohë më parë dhe kam pasur mundësi ta vlerësoi dhe në opozitë dhe në qeverisje. Kandidati tjetër të vazhdojë në Elbasan si pediatër, pasi s’kemi luksin të humbasim një mjek, se nuk duam një të paaftë në krye të bashkisë. Me Kastriotin dhe deputetët, me Taulantin, deputetin model për shërbimin ndaj komunitetit të tij, pas 21 qershorit, do bëjmë për Librazhdin çfarë nuk është bërë për 25 vjet.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i Ekzekutivit tha se sa më i madh të jetë përkushtimi i qytetarëve për votën, aq shumë do jetë dhe përgjegjësia e qeverisë. “Para se të vija këtu devijova rrugë për të vizituar xhaminë e re të Dragostunjës dhe mbeta i impresionuar nga një vepër e besimtarëve dhe jobesimtarëve, i nevojës dhe aspiratës për të jetuar mirë. I uroj besimtarëve myslimanë një muaj të mbarë të Ramazanit, me dritë dhe paqe në shpirt.”, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: