TIRANE – Gjatë fjalës së tij në seancën e posaçme të OKB-së, kryeministri Rama theksoi se harmonia fetare në Shqipëri u vlerësua nga Papa Francesku si model frymëzues për botën. Sipas shefit të qeverisë shqiptare, qasja dhe vlerat e Shqipërisë ndaj fesë duhen marrë shembull për luftën ndaj ekstremizmit fetar.
“Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e cila ishte dhe vizita e tij e parë në Europë, Papa Françesku deklaroi se harmonia ndërfetare e shqiptarëve është një model frymëzues për botën, e cila tregon se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo vetëm është e mundur, por është e dobishme për zhvillimin e një vendi, dhe se ky është një vend unik ku bashkëjetesa në paqe dhe bashkëpunim ekziston midis myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, të krishterë dhe njerëzve pa asnjë farë feje.”- tha Rama.
Duke folur për besimin fetar të familjes së tij, Rama theksoi se djali i tij i vogël do të vendosë vetë për besimin e tij, sepse jeton në një vend ku askush nuk do t’ia imponojë një besim fetar.
“Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe ne kemi një vajzë dhe një djalë të besimit ortodoks. Ndërsa djali tjetër, i sapolindur duhet të vendosë vetë për besimin e tij, edhe pse Papa Françesku e ka bekuar dy herë. Ai është me fat se jeton në një vend ku askush nuk do t’ia imponojë një besim fetar. Ai jeton në vendin ku Papa Françesku e bekoi për tolerancën fetare”, – tha Rama.
(er.nu/BalkanWeb)
