Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24 me moderatoren Nisida Tufa, Luçiano Boçi u pyet lidhur me protestën e opozitës që do të mbahet më 24 janar, duke u ndaluar edhe tek keqqeverisja. Ai theksoi se kryeministri Edi Rama sipas tij është në prag të largimit të tij brenda 2026.
“Nga të gjitha zhvillimet e ngjarjeve, mënyra se s faktori ndërkombëtar ka lëvizur, faktet kanë dalë, PD shkon drejt protestës dhe arritjes të bërit të saj të qëndrueshme, unë them se ka një limit nga ana kohore. Ai nuk mundet të konsumojë këtë mandat 4-vjeçar. Ai është në prag të largimit të tij brenda 2026. Forma e largimit, mënyra normale është të largohet duke pasur krijimin e një qeverie teknike që ka një rol të rëndësishëm, që të realizojë dy reformat që kanë mbajtur peng diskutimet politike në Shqipëri, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. Janë të dyja që bashkohen në pikën fundore për të bërë të mundur votën e drejtë”, tha ai.
Ndërsa na ndan vetëm një ditë nga protesta, Boçi ndau edhe disa nga pikat e rëndësishme të protestës, duke thënë se të gjithë janë marrë detyrat e tyre dhe se janë të angazhuar jo vetëm në Tiranë, por të gjithë Shqipërinë.
“Mund të them se gjithsecili ka marrë detyrat e veta si drejtues politik si deputet dhe aktiviteti ynë ka qenë shumë intensiv. Të gjithë jemi të shpërndarë, kudo në Tiranë por edhe në gjithë Shqipërisë dhe jemi në orët e fundit të angazhimit sepse edhe sot vazhdon deri në orët e vona sikurse është edhe paraditja e së nesërmes”, tha Boçi.
