Kreu i qeverisë Edi Rama ishte i pranishëm sot në Vaun e Dejës për fushatën elektorale, nga ku sulmoi kreun e PD-së, Lulzim Basha se jep premtime të cilat nuk mund t’i mbajë dot.
“Po ç’të votoni Lulin, atë e keni vetëm për televizor. Luli në televizor është si Al Pacino, ta bën të zezën të bardhë. I thotë prindërve se do i mbajë fëmijët me bukë nga kopshti deri në universitet,” tha Rama.
Kryeministri ashtu si dhe në takimet e tjera bëri thirrje që votat të shkojnë vetëm për Partinë Socialiste në mënyrë që të mbajnë timonin të vetëm.
“Nëse ka një pikë ku shqiptarët nuk i kap dot pa informacion është t’i pyesësh çfarë ndodhi dje në politikë. Është populli më politikan i planetit. E ka gabim se kush mund t’ja hedhi, por jemi më të përçarët në Europë politikisht. Pasi i duket partia si skuadër futbolli. Nuk e zgjedhin partinë që i bën punën. Kjo nuk është luftë politike për ne, është luftë për Shqipërinë që duam, për shtetin që duam të ndërtojmë. PS dhe PD nuk janë pa faj në këto 27 vite histori, por ama e vërteta është që nëse duam ta zgjidhim këtë çështje është t’i japim një votë të plotë PS-së që të mos ulemi pas zgjedhjeve e të ndajmë shtetin në copa,” tha Rama.
(e.f/BalkanWeb)
