Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, komentoi situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 11 majit, duke u ndalur te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama dhe roli i institucioneve të drejtësisë.
Sipas Baçit, kryeministri nuk po ndien presion nga pretendimet e opozitës dhe po kërkon t’i zhvlerësojë ato, sidomos pas një fitoreje të thellë që ka siguruar Partia Socialiste. “Rama nuk shqetësohet nga pretendimet e opozitës për zgjedhjet dhe kërkon ta zhvlerësojë. Tani që ka një fitore të thellë, nuk ndihet i shqetësuar,” u shpreh analisti.
Megjithatë, ai theksoi se kryeministri është përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Partisë Socialiste, dhe duhet të jetë i ndjeshëm ndaj çdo shkeljeje të ligjit.
Baçi shtoi se përgjegjësitë për zgjedhjet nuk duhet të mbeten vetëm në SPAK, por të trajtohen edhe politikisht. “Situata rreth zgjedhjeve nuk mund të vendoset vetëm nga peshorja e drejtësisë, por duhet të jetë një çështje politike. Nuk kemi për qëllim sa veta do ndëshkojmë, por nëse do ta rregullojmë dot procesin,” deklaroi ai.
Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së SPAK-ut si institucion që, megjithëse jo perfekt, po krijon një dritare për shtetin e së drejtës në Shqipëri. “Publiku, mazhoranca dhe opozita duhet të bëhen bashkë për të mbrojtur këtë institucion,” përfundoi Baçi.
