Kryeministri Edi Rama ka hedhur sot idenë për një reformë kushtetuese që do të reduktonte numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste. Mesazhi i tij ishte i qartë: pas më shumë se 30 vitesh pluralizëm, disa institucione, përfshirë Kuvendin, kanë nevojë për riformatim.
“Në më shumë se 3 dekada pas zgjedhjeve të para pluraliste, ndërkohë që jemi në dekadën përfundimtare të bashkimit me familjen evropiane, na duhet një cikël i ri riformimi për disa institucione të rëndësishme, ndër të cilat edhe Kuvendi i Shqipërisë,” u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se pas 10 legjislaturave dhe 1136 deputetëve të zgjedhur, është krijuar një perceptim i gjerë shoqëror për tejmbushjen e Parlamentit, duke shtuar se një Kuvend më i vogël do ishte më efektiv dhe më pranë interesit publik.
“E para gjë që gjen dakord çdo shqiptar është tepria që ngjan çdo vit e më tepër në numrin e deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve në të paktën 101, edhe më pak, bujrum ta diskutojmë, do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë se një aspekt,” deklaroi kreu i qeverisë.
Rama e cilësoi këtë si një ndryshim kushtetues pozitiv dhe të domosdoshëm, që do të reflektojë qasjen moderne të shtetit shqiptar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
