Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, ka akuzuar Ramën se zotëron 200 mln euro pasuri në kontot bankare offshore.

Berisha tha se me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, Edi Rama hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe u vendos i tëri në mbrojtje të vjedhjeve të zbuluara me dokumente të Lubi Ballukut.

“Ai urdhëroi në mënyrë më kriminale dje deputetët e tij të mos lejonin heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut.

Çfarë kam parë unë në portin e Durrësit, dhe pikërisht në atë kohë kam deklaruar se Edi Rama do me kusht të bëhet miliarder si Alabari, dhe në portin e Durrësit ku ndërtohet 12 mijë apartamente, 12 hotele me 5 dhe 6 yje, me pishina dhe të gjitha lukset e tjera, ka për pronar të parë absolutisht Edi Ramën, klanet e drogës dhe pastaj Al Alabarin”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e plotë

Disa herë kam deklaruar se Edi Rama është miliarder dhe unë e dija kur bëja këtë deklaratë se e kishit të vështirë ta besonit, por unë e kam bërë këtë deklaratë të bazuar në dokumente, fakte.

Çdo shqiptar mban mend se në vitin 2014, në një raport sekret të OSBE, u deklarua se Edi Rama ka në bankat offshore 200 milionë euro.

Edi Rama nuk e përgënjeshtroi kurrë dhe nuk paditi kurrë autorin e raportit.

Nuk padiste dot një organizatë se ajo do i nxirrte çdo qindarkë.

Por një moment.

Edi Rama, pra, u bë kryeministër me 200 milionë euro në kontot bankare offshore.

Si u bë?

U bë absolutisht vetëm nëpërmjet kateve të ndërtimit.

Në çdo pallat, Edi Rama gjobiste me 1 apo 2 kate në varësi nga lartësia e pallatit, dhe nuk pranonte apartamentin, por pranonte vetëm shumën me çmimin e shitjes të apartamentit.

Dhe kjo është e faktuar.

Janë biznesmenë guximtarë që ia kanë thënë në sy, janë të tjerë që e kanë deklaruar prore.

Pikërisht me pallatet, me katet e pallateve, Edi Rama u bë kryeministër me 200 milionë euro të fshehura.

Por nga viti 2014 gjer sot, në 10-12 vite, Edi Rama, mos harroni se këto kanë qenë vitet e ndërtimit të pallateve më të shumta, më të larta në tërë historinë tonë.

Këtu Edi Rama nuk është ndaluar me një kat apo dy, por këtu ai ka inkasuar shumat e të paktën 4-5 kateve. Minimumi.

Por tani menaxher i 67 miliardë euro, që është totali i buxheteve 12-vjeçare, Edi Rama me lukuninë e tij, sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka shpërdorur dhe përvetësuar minimumi 90 përqind të tyre.

Kjo javë pra është java e zbulimit të madh.

E zbulimit të korrupsionit të përmasave të diktaturave afrikane të dikurshme.

Është java në të cilën Edi Rama hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe u vendos i tëri në mbrojtje të vjedhjeve të zbuluara me dokumente të Lubi Ballukut.

Të mbrojtjes të 300 apartamenteve të blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Të mbrojtjes së jahteve të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Dhe ai, urdhëroi në mënyrë më kriminale dje deputetët e tij të mos lejonin heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut për faktin e vetëm se në qoftë se Lubia ka 300 apartamente, Edi Rama ka minimumi 1500.

Se në qoftë se Lubia ka 2 jahte, Rama ka minimumi 5, nëse i janë dashtë.

Se në qoftë se Lubia ka 2 vila, Rama është pronar në resorte të tëra turistike.

Çfarë kam parë unë në portin e Durrësit, dhe pikërisht në atë kohë kam deklaruar se Edi Rama do me kusht të bëhet miliarder si Alabari, dhe në portin e Durrësit ku ndërtohet 12 mijë apartamente, 12 hotele me 5 dhe 6 yje, me pishina dhe të gjitha lukset e tjera, ka për pronar të parë absolutisht Edi Ramën, klanet e drogës dhe pastaj Al Alabarin.

Pra, java ishte java e zbulimeve më të mëdha të zeza për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb