Belind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit krijimin e një strukture paralele në sistemin shëndetësor, përmes një projektligji që, sipas saj, pritet të miratohet në shtator dhe do t’i japë një shoqërie kompetenca të gjera në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

Sipas deklaratës së tij në Facebook, projektligji synon krijimin e një shoqërie që do të merret me tenderimin, magazinimin, shpërndarjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, si edhe me operacione të tjera logjistike dhe strategjike në sistemin shëndetësor.

Ai pretendon se kjo strukturë do të funksionojë si një “Ministri Shëndetësie paralele” me kompetenca të plota dhe se kontrolli i saj, sipas tyre, pritet t’i kalojë biznesmenit izraelit Sani Sanilevich, të cilin e cilësojnë si mik të afërt të kryeministrit Rama dhe konsull nderi të Shqipërisë në Izrael.

Reagimi i plotë;

Reagon Belind Kellici në facebook

Edi Rama ka në plan të krijojë Ministri Shëndetësie paralele, për t’ia dhënë mikut të tij izraelit!

Pas lajmit për krijimin e një shoqërie që do të ketë monopolin dhe do fusë në dorë shëndetësinë shqiptare, fshihen interesa okulte të Edi Ramës dhe miqve të tij.

Projektligji që është aktualisht draft, pritet të kalojë në shtator dhe i hap rrugën një biznesi të madh me ilaçet, pajisjet shëndetësore e çdo operacioni logjistik e strategjik në fushën e shëndetësisë, nga tenderimi, magazinimi e shpërndarja.

Praktikisht bëhet fjalë për krijimin e një Ministrie Shëndetësie paralele, por me pushtet absolut që sipas gjithë gjasave do të kontrollohet nga miku i ngushtë i Edi Ramës, izraeliti Sani Sanilevich, që është dhe konsull nderi i Shqipërisë, me firmë të vetë Ramës.

Ky sipërmarrës besohet se ka mbuluar dhe shpenzimet e udhëtimit të Edi Ramës në Izrael muaj më parë, ku pati fjalim dhe në parlament.

Mediat izraelite zbuluan se edhe më parë Edi Rama kishte qenë vizitor në fermën private të Sanilevich, në një udhëtim pothuaj sekret, por që u mor vesh nga autoritetet atje.

Për miqësinë dhe shërbimet ndaj Edi Ramës, ky biznesmen tanimë është shpërblyer. Ai është themelues dhe aksioner i Jet Bank, banka e parë dixhitale në vend, e liçensuar me shpejtësi rrufe e pa transparencë.

Po ky emër fshihet edhe pas një kompanie të regjistruar në Durana, parajsën fiskale të Edi Ramës në Shqipëri!

Por, Sanilevich dhe ortakë të tij në biznes, kanë interesa të gjera që po i vënë në jetë në Shqipëri. Përveç resorteve, fokusi tani është në shëndetësi. Dhe jo vetëm ngritja e një spitali privat, por marrja nën kontroll e gjithë sektorit, me shoqërinë që kërkon të ngrejë Edi Rama në shtator.

Edhe më herët, Kryeministri është shprehur se me ekspertizë izraelite Shqipëria do bëhet një qendër e madhe dhe e avancuar shëndetësore në rajon.

Por ai ka mbajtur të fshehta këto interesa biznesi dhe këtë projekt për krijimin e këtij monopoli absolut në fushën e medikamenteve, pajisjeve, tenderimeve e çdo operacioni që ka të bëjë me shërbimin shëndetësor.

Raportimet në media se Ministrja e Shëndetësisë Sala, ka refuzuar firmosjen e këtij projektligji, e për pasojë është drejt largimit, janë në dritën e këtyre zhvillimeve.

Në fakt do të ishte veprim i zgjuar nga ana e saj. Sepse ky është një skandal dhe më i madh se konçesionet e sterilizimit apo check-up, dhe fati i saj mund të jetë më i rëndë se i Ilir Beqes.

Ne do luftojmë çdo ditë për të bërë transparencë rreth kësaj afere.

Megjithatë, SPAK është në kohë për t’u zgjuar, e për të parandaluar një krim të rëndë financiar me jetën dhe shëndetin e qytetarëve që Edi Rama ka planifikuar ta zbatojë në shtator.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb