Deputeti i Partisë Mundësia ishte sot i ftuar në Programin e Drekës në News24, ku foli në lidhje me situatën politike në vend dhe zhvillimet sa i përket përballjeve të politikës me drejtësinë dhe ftesën e marrë nga Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama po përpiqet që të përdorë ftesën e presidentin amerikan Donald Trump për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, si një mesazh për Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë e Posaçme, për mos hapje të një çështjeje ndaj tij, si në rastin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku. Sipas Kaprit Rama apo përpiqet të krijojë bindjen se ka mbështetjen e Presidentit amerikan. Më tej ai u ndal edhe në çështjen Balluku, ku u shpreh se sado që të mundohet të shtyhet, zëvendës kryeministrja ka “mbaruar punë” dhe do të japë llogari.

“Përtej asaj seance të shëmtuar nga sulmet e kryeministrit, si ka mundësi pse kryeministri nuk mban përgjegjësi. Kryeministri përballë interesit privat të investitorit zgjedh këtë dhe jo interesin shtetëror.
Kryeministri ka një hall të madh dhe halli i tij është drejtësia. Ai po përpiqet të japë një mesazh për SPAK dhe GJK që ka mbrojtjen e Trump dhe mos guxoni të më hapni një çështje siç bëtë me Ballukun. Presioni më i madh është mbi Kushtetuesen.
Në rastin Balluku situata është delikate pasi nuk dorëhiqet dhe prokuroria thotë që ka bërë presion ndaj dëshmitarëve. Shumica e shqiptarëve duan ndëshkimin e korrupsionit dhe këtë po përpiqemi të bëjmë ne edhe me protestat. Balluku ka mbaruar punë, sado të mundohet ta shtyjë ajo do të japë llogari, por ajo që ngelet është fati i Ramës”, tha ai.

Kapri foli edhe në lidhje me dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes dhe “kleçkën” që sipas tij po përdoret nga qeveria, që më vonë sipas tij do të përdoret si një mekanizëm për të bërë presion mbi gazetarët.

“Në sajë të këmbënguljes së BE është kërkuar që fyerja dhe shpifja të dekriminalizohen. Qeveria nuk dëshiron që kjo të ndodhë dhe po përdor një kleçkë të shëmtuar, sipas të cilës qeveritarët nuk do të padisin gazetarët për shpifje, sa kohë që këta të fundit janë të regjistruar. Kjo do të përdoret me vonë për të bërë presion”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb