Diplomati Agim Nesho e cilësoi si një ngjarje tepër të shëmtuar ndërhyrjen ndaj televizionit News24, duke e interpretuar si shenjë të frikës dhe pasigurisë së një lideri autokrat që ka uzurpuar institucionet shtetërore.
Në një intervistë për SYRI TV, ai u shpreh se pas zgjedhjeve të debatueshme të 11 majit, Edi Rama po përpiqet të largojë vëmendjen nga mungesa e legjitimitetit dhe po synon të kontrollojë plotësisht institucionet shtetërore.
Sipas Neshos, kjo sjellje e pushtetit tregon për një prirje të rrezikshme autoritare. Ai ngriti një dilemë serioze: A është Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Evropian apo po rrëshqet drejt një regjimi diktatorial?
Agim Nesho: Duhet të themi që ishte një rast i pazakontë, një rast që ishte rasti i erës për një demokraci funksionale. Asnjëherë hapësirat, sinjalet e televizioneve që janë pronë publike dhe që i shërbejnë interesave të qytetarit, pavarësisht sesi menaxhohet, pavarësisht se si është ligji i shtypit në Shqipëri që ka akoma kontrollin e pronarëve ndaj linjës editoriale. Por, këto janë hapësira të domosdoshme të funksionimit të një demokracie e cila ka nevojë për të bërë shtetin e të drejtës.
Prandaj, ne po shikojmë që gjatë gjithë kësaj periudhe, ka patur një sulm, ndoshta konfuz që vjen nga frika, pasiguria, e një autokrati si Edi Rama, i cili ka kapur dhe personalizuar shtetin shqiptar. Pas katastrofës dhe farsës elektorale të 11 majit, ai kërkon të heqë vëmendjen nga ajo që është çështja kryesore e kësaj shoqërie. Ajo që përbën kontratën kryesore të popullit me qeverinë e radhës. Domethënë, moslegjitimiteti i zgjedhjeve të cilat do të drejtojnë vendin edhe për 4 vjet të tjera.
Këto institucione të cilat do të flasin në emër të popullit shqiptar janë të palegjitimuara, jo vetëm nga shkeljet e shumta zgjedhore, blerja e votave, përdorimi i administratës etj…prandaj ajo që neve na vë përpara një pikëpyetjeje tepër të madhe, është ‘cuo vadis’ Shqipëri.
Po shkon drejt Bashkimit Evropian, apo jemi kthyer në atë arrogancën për të përballuar frikën e një diktatori të ri, i cili kërkon që të vërë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit.
