Kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po e çon vendit kundër rrugëtimit të Bashkimit Europian.

Berisha theksoi se shqiptarët mbështesin procesin e integrimit, por nënvizon se kryeministri po zhduk shtetin ligjor dhe se po e shkatërron drejtësinë. Gjithashtu nënvizoi se ndërkombëtarët kanë folur qartë dhe se në deklaratat e tyre kanë theksuar se shteti ligjor është kushti që Shqipëria të ecë në rrugën drejt integrimit.

“Është koha të përballemi me një regjim që kaq të poshtër nuk e kanë patur shqiptarët që nga koha e Enver Hoxhës e deri më sot. Vetëm Enver Hoxha ishte i aftë të merrte çdo vendim për të ruajtur pushtetin e tij. Vetëm ai ishte i aftë ti çonte shqiptarët te racioni i bukës së misrit që të mos mendonin dot asgjë tjetër përveç kafshatës. Edi Rama pasi ka vjedhur miliarda pasuri publike me organizatën kriminale tani zhduk edhe Kushtetutën, zhduk shtetin ligjor, shkatërron drejtësinë për të mbrojtur lëkurën e tij. Nuk ka ditë më të vështirë për kombin. Komuniteti ndërkombëtar, mendoj se ka folur shumë qartë. Për një seri vendesh të BE shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të ecë në rrugën e integrimit. Pa shtet ligjor nuk ka proces të integrimit”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb