Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Asamblenë e PS në Lezhë, ku u ndal te akuzat për rritjen e korrupsionit në vend.

Në fjalën e tij, Rama hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur kurrë më parë një përpjekje kaq intensive për të luftuar korrupsionin. Ai pranoi se fenomeni nuk është zhdukur plotësisht, por këmbënguli se niveli i tij është më i ulët se në të kaluarën.

“Nuk them që e kemi shfarosur korrupsionin, por them një gjë që mund ta faktoj në disa rrugë. E para kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë dhe korrupsioni është më i ulët se çdo herë më parë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi se disa zhvillime ekonomike nuk përputhen me pretendimet për rritje të korrupsionit. Sipas tij, rritja e pensioneve dhe zgjerimi i përfituesve nga fondet publike janë tregues se të ardhurat buxhetore janë në rritje dhe nuk po devijohen.

“Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe të rriten pensionet në të njëjtën kohë? Pensionet rriten sepse rritet buxheti i shtetit. Nëse korrupsioni do të ishte në rritje, ai do t’i thithte këto të ardhura”, deklaroi ai.

Rama shtoi gjithashtu se rritja e numrit të përfituesve nga garat publike bie ndesh me idenë e një korrupsioni në rritje, duke e cilësuar këtë si një tjetër tregues të përmirësimit të sistemit.

Në fund, ai solli në vëmendje ndryshimet në shërbimet publike, duke krahasuar të shkuarën me të tashmen. Sipas tij, dikur qytetarët prisnin në radhë për të paguar faturat apo për të marrë dokumente, ndërsa sot shumë prej këtyre proceseve realizohen online.

“Këto janë ndryshime konkrete. Atëherë si mund të thuhet se korrupsioni është rritur?”, përfundoi kryeministri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb