Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër video që pasqyron zaptimin e hapësirave publike, ndërsa ka reaguar ndaj kritikëve të operacionit të pastrimit që po vijon prej ditësh në disa qytete të vendit.
Në reagimin e tij, Rama u drejtohet atyre që i cilëson si “komentatorë”, duke theksuar se ky aksion nuk po prek kursimet e qytetarëve. “Populli nuk janë ata tre-katër guximtarë që kanë zënë hapësirat e komunitetit,” shkruan ai, duke iu referuar një rasti konkret që denoncoi përmes videos.
Kryeministri theksoi se të gjitha hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme do të lirohen, pa përjashtim. Sipas tij, bizneset janë një vlerë për komunitetin, por nuk mund të shkelin të drejtën e qytetarëve për të lëvizur dhe marrë frymë lirisht në hapësira të përbashkëta.
“3 – 4 subjekte kanë marrë peng tërë hapësirën komunitare dhe pyetja për disa komentatorë që qajnë hallin këtu e gjetkë, se duke rivendosur kufirin mes të drejtës e të paligjshmes në hapësirat publike po goditen kursimet e “popullit”, është e thjeshtë: Kush është populli, këta tre katër guximtarë që kanë zënë tërë lulishten e komunitetit apo familjet, të moshuarit, fëmijët, që jetojnë në pallatet përreth dhe dalin nga shtëpitë përmes shtigjeve të lëna nga bizneset?!
Edhe kjo hapësirë edhe çdo hapësirë si kjo, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa bizneset do të jenë vlerë e shtuar por pa shkelur kufirin e të drejtës së popullit për të lëvizur e marrë frymë lirisht”, shkroi Rama.
