Në seancën dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë, u diskutua edhe një nga pyetjet e kryeministrit Edi Rama të shtruar në pyetësorin Këshillimi Kombëtar, nëse duhet të lejohet apo jo kanabisi.

Ndërsa ngriti këtë çështje si shqetësuese, pasi ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu është shprehur kundër këtij vendimi, kërkoi nga Mira Rakacolli një sqarim lidhur me këtë situatë.

Ai theksoi se edhe ‘Shëndetësia’ duhet të thotë fjalën e saj.

‘Unë habitem që ju nuk përmendët një çështje që kryeministri e ka shumë përzemër. Është folur për përdorim mjekësor të kanabisit. Ju kur folët për ndryshimet që janë bërë në Shqipëri për kancerin nuk folët për këtë çështje. Pyetja ime është direkte, kush janë format e përdorimit, kush janë mundësitë e përdorimit dhe sa është tregu i përpunimit të kanabisit. Ministria e Shëndetësisë shoh që nuk e thotë sot fjalën e saj, si qëndron çështja nuk ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë një kërkesë e tillë’, shtroi pyetjen Shehu.

Rakacolii u shpreh e prerë se seanca e sotme nuk është vendi për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

‘Mua nuk më duket  se është vendi në këtë dëgjesë ku flitet për kancerin të diskutojmë për kanabisit. Vlera e përdorimit të kanabisit diskutohet prej vitesh, por kur flitet për vendime dhe konkluzione sidomos në mbledhje të tilla duhet të ato vendime ne t’i kemi të mbështetura në evidencë dhe natyrisht atëherë mund të shtrojmë edhe diskutimi’, tha më tej Rakacolli.

Në vijimësi të këtij diskutimi, Shehu theksoi se pret një përgjigje sqaruese nga Ministria e Shëndetësisë, kur të jetë gati.

Tritan Shehu: A është apo vendi këtë e vendosin deputetët.  Ju mund të thoni se do t’ju dërgoj material me shkrim për sqarim. Pyetja që bëra unë qeveria juaj i jep rëndësi shumë të madhe. Unë nuk mora sot asnjë përgjigje, por kërkoj që në një kohë të dytë, kur ju të jeni të përgatitur ta diskutojmë. A  e ka iniciuar Ministria e Shëndetësisë këtë proces apo jo, kjo është pyetja ime.

Rakacolli: Nëse jam keqkuptuar kërkoj ndjesë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb