Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm në një vend europian.

Në reagimin e tij, Rama shprehet se në Europë ka lloje të ndryshme protestash dhe protestuesish, nga anarkistë e ekologjistë, te studentë apo grupe ekstremiste, të cilët shpesh maskohen dhe kryejnë akte vandalizmi, duke dëmtuar prona dhe plagosur punonjës policie. Megjithatë, sipas tij, ekziston vetëm një parti parlamentare në Europë që, që nga krijimi i saj, e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit politik.

“Kjo parti ka në program shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve dhe mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, ndërsa sot janë mercenarë të rekrutuar me para nga rrugaçët e lagjeve”, shkruan Rama.

Kryeministri shton se protestat e fundit kanë lënë pas ndotje dhe shkatërrim në bulevard, duke i krahasuar ato me “jashtëderdhjen në rrugë të plakut të lajthitur që i organizon”, ndërsa i cilëson si shenjë të një “degjenerimi të pandalshëm dhe dëshpërimi të pangushëllueshëm”.

Në fund të reagimit të tij, Rama u ka uruar shërim të shpejtë punonjësve të policisë që u plagosën gjatë protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb