Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Durrës, i cili shfaqet i ndotur dhe i mbuluar me mbeturina.
Në reagim, Cara akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiaken Emiriana Sako, duke i cilësuar zhvillimet në zonë si “shpërdorim fondesh publike” dhe
“korrupsion të pastër” që, sipas tij, po dëmton një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit.
“Na ishte një herë plazhi i Durrësit, i bekuar nga natyra! Do të duhet ta tregojmë si një përrallë, sepse ajo që po ndodh në Durrës është kriminale. Shpërdorim i fondeve publike për të tjetërsuar plazhin historik të shqiptarëve është korrupsion i pastër i Rama, Sako & CO! Pa dyshim, ky nuk është i vetmi projekt, që ka si kryefjalë korrupsionin, duke cënuar identitetin e një qyteti unik, siç është Durrësi”, shkruan Cara krah videos.
Deputeti demokrat thekson se bëhet fjalë për një “masakër mjedisore”, ndërsa shton se rreth 10 muaj më parë ka depozituar një kallëzim në prokurori së bashku me një arkitekte, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Afro 10 muaj më parë bashkë me një arkitekte bëmë një denoncim në prokurori edhe ende nuk kemi marrë një përgjigje, pyetja është a funksionon drejtësia? Këtu nuk jam sot si politikan por si durrsak dhe nuk mund të hesht me këtë masakër mjedisore. Një pasuri e tillë kombëtare të dëmtohet në këtë formë për t’u shërbyer miqve të Ramës, duke nisur me Albarin që ka marrë mijëra metra katrorë”, shprehet ai.
