Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë shqiptare ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, duke e cilësuar atë si një “show politik”. Sipas tij, deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili u ka kërkuar bizneseve të karburanteve të kufizojnë fitimet, janë të papërshtatshme për një ekonomi tregu. Buxhuku theksoi se fitimi është thelbësor në funksionimin e tregut dhe se nuk mund t’u kërkohet bizneseve të heqin dorë nga ai.
Ai argumentoi për News24 se një qeveri duhet të ndërhyjë përmes politikave dhe mekanizmave rregullatorë për të shmangur fitimet e tepërta në kohë krize, dhe jo përmes thirrjeve publike ndaj operatorëve privatë. “Nuk mund të kërkohet nga bizneset që të mos fitojnë, kjo bie ndesh me vetë parimet e ekonomisë së tregut”, u shpreh ai.
Buxhuku ngriti gjithashtu shqetësimin se Shqipëria është e papërgatitur për përballimin e krizave të tilla, duke shtuar se vendi duhej të kishte nxjerrë mësime nga pasojat ekonomike të lufta Rusi-Ukrainë. Sipas tij, gjatë viteve të fundit mund të ishin marrë masa për të rritur rezervat e naftës dhe për të krijuar mekanizma mbrojtës për qytetarët. Ai shtoi se të ardhurat shtesë të krijuara nga kriza duhet t’u kthehen qytetarëve, veçanërisht shtresave më të prekura si pensionistët, duke e konsideruar këtë si një detyrim ekonomik dhe moral të qeverisë.
“Shqipëria është e çarmatosur në përballjen e pasojave të një krize të rëndë që po ndodh në botë. Shqipëria nuk duhet të ishte krejtësisht e çarmatosur, por situata është kjo që është. Edhe ekonomikisht është e pranueshme që të lehtësohet pesha e krizës së karburanteve, por dhe e moralshme që ato para që janë grumbulluar si pasojë e krizës, t’i kthehet qytetarëve. Deklarata e Ramës ishte pranim në formën e tij të kërkesës tonë. Dhe ai e ka të qartë që këto janë para të krijuara nga kriza dhe ai thotë; do t’i shpërndaj për pensionistët. Ai tha që pranonte në mënyrën e tij se ka të ardhura shtesë që duhen shpërndarë për atë pjesë që është më e goditur, pensionistet. Por kush është problemi? Problemi është; shtylla e parë; tallje e madhe për një vendimmarrje politike të përgjegjshme. Ulesh me tregtarët e karburanteve dhe t’u lutesh atyre që mos të fitojnë, ndërkohë që thelbi i ekonomisë së tregut është fitimi. Kryeministri me një mënyrë, që është tallje e madhe për inteligjencës, t’u kërkojë atyre që ata të heqin dorë nga ajo që çdo qenie që punon në ekonominë e tregut do të bënte; fitimin maksimal. Nuk mundet që qeveria e një vendi që t’u lutet bizneseve që; mos fitoni ju. Logjika për një qeveri normale është që nuk do të lejonte bizneset që mos të krijonin fitime të mëdha në kohë krize. Të gjitha shtetet morën masa të drejtpërdrejtë. Shqipëria i kishte mundësitë që në këtë periudhë 4-vjeçare, nga mësimet që morëm me nisjen e luftës Rusi-Ukrainë, të mësonim.”, tha ai.
