Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar, pasi kryeministri Edi Rama sulmoi studentët e protestuesit.
Bardhi shprehet se është turp, që kryeministri del e baltos qytetarët.
Gazment Bardhi deklaron se Rama ka standard të dyfishtë. Kjo, sepse për Ballukun të pandehur nga SPAK për akuza për korrupsion e pastrim parash kërkon prezumimin e pafajësisë.
Bardhi rendit dhe një sërë figurash të tjera të mazhorancës, që janë marrë të pandehur nga ana e SPAK për një sërë akuzash, duke u shprehur se kriminelët e mëdhenj dhe të vërtetë kanë qenë e janë në qeveri.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Kur nuk ke përgjigje për kërkesat e rinisë, rruga më e lehtë është baltosja dhe shpifja! Por faktet flasin vetë!
Po të ishte kujdesur Edi Rama të verifikonte të kaluarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të tij, Shqipëria nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje.
Por, për të ruajtur pushtetin, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të ngrejë në majat e qeverisjes individë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa, për të goditur këdo që e konsideron kërcënim për pushtetin e tij, është i gatshëm të përdorë çdo mjet, deri në përpjekjet për të kriminalizuar kundërshtarët dhe qytetarët shqiptarë.
Për Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin apo Ergys Agasin, na këshillon të mos flasim dhe t’i prezumojmë të pafajshëm, ndërsa qytetarët që protestojnë kërkon t’i shpallim fajtorë pa prova dhe pa një vendim gjykate.
Për Edi Ramën, pushteti duket se ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm se integriteti, përgjegjësia dhe interesi i qytetarëve. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse Shqipëria ndodhet sot në këtë gjendje.
