“Anëtarësimi në BE është një projekt i të gjithë shoqërisë. Dialogu është kyç për të ecur përpara”, u shpreh zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, në përgjigje të pyetjes së News24 nëse rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian varet vetëm nga kryeministri Edi Rama dhe nëse ky proces është i kushtëzuar nga qëndrimi i tij në detyrë, apo nëse Shqipëria do të vijojë rrugën e saj drejt integrimit evropian, pavarësisht se kush do të jetë në krye të qeverisë.

Në përgjigjen e saj, Pinho theksoi se Shqipëria ka shënuar përparim në reforma, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit dhe zbatimit të tyre dhe dialogut si elemente thelbësore për avancimin e procesit.

“Shqipëria vijon të shënojë përparim në reformat kryesore të lidhura me anëtarësimin në BE. Në këtë moment kyç, është thelbësore që Shqipëria të vijojë zbatimin e reformave të nevojshme për përafrimin me legjislacionin e BE-së, në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, krijimi i një bilanci konkret të zbatimit të këtyre reformave është thelbësor për suksesin e tyre. Anëtarësimi në BE është një projekt i të gjithë shoqërisë. Dialogu është kyç për të ecur përpara”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së KE.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb