TIRANE- Gjatë një interviste mbrëmjen e djeshme për emisionin “Studio e Hapur” në News24 të moderatores Eni Vasili kreu i Ekzekutivit, Edi Rama zbuloi dhe një anë tjetër të tij, larg politikës, që është jeta private.

Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për shtëpinë e tij të re në Surrel të Dajtit, deklaroi se ndërtimi i saj ka qenë një iniciativë falë bashkëshortes së tij. “Është një shtëpi që është ndërtuar me materiale të thjeshta. S’ka suva, dhe s’ka kolona. S’ka abazhur, është me poça të thjesht. S’ka brenda mobilie të sjella nga firmat, dhe janë bërë me bojëra nga unë. Pjesa e jetueshme është 250 m katrorë. Është e ndërtuar ndryshe, sepse është shtëpia ime. Isha pa shtëpi, e më thoshin se ka 200 shtëpi. Pastaj u bëra unë me shtëpi, falë gruas, dhe e them me mburrje”, theksoi Rama.

Ai tha se është gruaja e tij, Linda Rama ajo që mban llogaritë e familjes, ndërsa theksoi se “Unë me dy gjëra nuk kam pasur lidhje asnjëherë; me lekun dhe mirëorganizmin e jetës time private. Fatmirësisht kam zgjedhur gjysmën time më të mirë që e plotëson këtë defiçensë”, tha Rama. Ndërkohë, gazetarja u ndal dhe tek kravatat e kryeministrit, të cilat janë lakuar shpreh herë dhe për stilin e çuditshëm. Rama tha se kravata që ai kishte vënë, e kishte blerë lirë, vetëm 20 dollarë gjatë vizitës së tij në New York.

Gjatë intervistës Rama nuk kurseu as ironitë për ish-kryeministrin Sali Berisha, kur tha se në telefonin e tij mbante një ndërtesë si një wallpaper, që i kujtonte akuzat e bëra nga paraardhësi i tij, duke thënë se: “Më kujton Saliun, dhe më jep kënaqësi”.

Ndër të tjera kreu i Qeverisë tha me batutë se s’di çdo bëjë kur të jetë në moshën e tretë ai tha se “Nuk e di saktësisht se me çfarë do merrem në moshën e të, por do bëjë një jetë familjare. Nuk dua të vdes nëpër podiume, duke dhënë intervista për gazetarët”, ndërsa rishprehu pasionin e tij të hershëm për sportin dhe pikturën.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: