Shefi i Organizimit i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ishte i ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24, ku ka komentuar ngjarjet kriminale të ndodhura në vend brenda 24 orëve, teksa janë shënuar 4 viktima.

Sipas Balliut, “siguria në vend ka rënë prej një kohe goxha të gjatë dhe kemi kaluar në nivele komplet të tjera, me qeverinë që është përfshirë në luftën e bandave”.

Ish-deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka lidhur marrëveshje me bandat për përfitime elektorale dhe këto vrasje që ndodhin anembanë Shqipërisë janë derivat i këtij pakti.

“Qeveria ka interesa të caktuara në banda të caktuara dhe i ndihmon të kryejnë vrasje dhe veprime të caktuara. Të gjithë e kanë të qartë se nëse qeveria do të luftojë krimin mund t’i kapë këta banditë. Nuk ka nevojë për fantazi. Gjtaë qeverisjes së PD nën drejtimin e Sali Berishës janë arrestuar gati 200 banda dhe sot një pjesë e madhe e tyre janë sot në rrugë duke kryer këto krime. I vetmi standart që është rritur këto kohë është standarti i krimit, duke kaluar në vrasës profesionist, kemi kaluar në kryemafiozë, dhe nivele bandash. Bandat kanë armë, ne kemi tanke, kemi ushtrinë, kanë informacion, ne kemi Shërbimin Informativ Shtetëror, por Edi Rama ka lidhur koalicion me krimin e organizuar. Mos kujtoni ju se qytetarët nuk e dinë se kush drejton në Vlorë, Lushnje, Elbasan. Policia e di më mirë nga të gjithë po nuk lëvizin dot se Edi Rama u ka thënë mos i prekni”, tha Balliu.

ANALIZA E PLOTË:

Kemi parë sesi është shkatërruar totalisht Policia e Shtetit, që është kthyer në polici të pushtetit. Shefat e saj janë të lidhur në mënyrë direkte me bandat më të rrezikshme të vendit. Individë që kanë qenë të lidhur me narkotrafikun dhe i kemi parë te kronikat e zeza. Një strukturë e posaçme u ngrit për të shkatërruar policinë e Shtetit dhe për ta kthyer në të pushtetit. Kjo nuk mund të bëhej pa një marrëveshje me qeverinë dhe kryeministrin.

Janë të ri e të reja që si opsion po shohin krimin e organizuar, se mendojnë se janë të pushtetshëm. Fitojnë para më shumë dhe kanë arritur deri aty sa kanë futur deputetë në Parlamentin e Shqipërisë dhe ka sponsorizuar ministra dhe i drejtojnë ata për llogari të vetat. Janë kthyer në biznesmenë 30-vjeçarë që janë pronarë kompani ndërtimesh e ngrenë pallate në Tiranë. Pastrimi i parave për të cilat ka interes krimi i organizuar paguan dhe qeverinë se këta marrin bakshishin e vetë. Kryeministri merr pjesën e vetë për t’u bërë pjesë e bizneseve të ndryshme. Kjo është një nga kolonat  e bashkëpunimit qeveri-krim. Dhe bërthama është marrëveshja për garat elektorale dhe po të shohim gjatë garave elektorale krimi i organziuar del me aksion në terren për të mbështetur qeverinë. Edi Rama i kërkon vota krimit të organizaur. Janë parë eksponentë të lartë të botës së krimit duke bërë fushatë për qeverinë e Edi Ramës. Kjo marrëveshje dhe kjo marrëdhënie ka çuar në shkatërrimin total të sigurisë në vend.

Policia nuk e kryen dot detyrën se informacioni është i pasigurt. Efektivët nuk kanë besim te njëri-tjetri, sepse nuk ia ka idenë kush është pjesë e bandave dhe kush nuk është. Mos mendoni për asnjë sekondë se qeveria nuk ka informacion për çfarë po ndodh sot. Në Shqipëri ka një luftë mes bandave për të rindërtuar territorin e tyre. Qeveria e di fare mirë se kush dhe ku janë, por i lë të ikin se kanë marrëveshje me ta. Krimi i organizuar në një shtet të vogël si Shqipëria nuk e ka mundësinë të ketë këtë pushtet që kanë në çdo qytet pa pasur marrëveshje me qeverinë.

PD-ja respektoi ligjin dhe u përball me bandat. Kujtojmë arrestime të bujshme si “Banda e Lushnjes” dhe shumë të tjera. Nëse shteti do, shteti mund t’i arrestojë. Shteti e ka informacionin se ku ndodhen ata. Në Shqipëri brenda vendit ku kemi të gjithë enturazhin kriminal, kanë lirinë totale për të vazhduar veprimtarinë e tyre kriminale nga qeveria. Ata që veprojnë në shtetet e huaja janë të lidhur ngushtë me bandat në Shqipëri. Ata kanë mbështetje shtetërore, se paratë e tyre mund të vijnë dhe pastrohen në Shqipëri. Edhe Ndragheta sot është më e frikësuar nga bandat shqiptare pikërisht prej mbështetjes së fortë politike. Sot ne s’kemi siguri për jetën, kemi parë si shpërthen tritoli në Tiranë, vetëm në 24 orët e fundit janë 4 të vrarë. Vetëm në 2022 janë bërë katër vrasje për vendin e parkimit. Kjo vjen prej destabilizimit total të qeverisë që ka ulur sigurinë në vend. Të rinjtë po e shohin krimin si alternativë, ata mendojnë ose të ikin me gomone drejt Anglisë ose të bëhen pjesë e bandave. Partia Demokratike nuk është prokurori. Ne nuk mund t’i arrestojmë ata. Ne kemi bërë denoncime. Bandat këtu kanë licencë për të vrarë dhe ia ka dhënë qeveria, por është e vështirë të flasësh kundër këtyre dhe ne e kemi bërë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb