Kryeministri Edi Rama ka zëvendësuar qytetarët me pemë në këtë fushatë, thotë deputeti i PD, Dashnor Sula.

“Qytetarët në fushatë i zëvendësoi dje me pemë… në mungesë të njerëzve dje mori pemë”, shprehet deputeti Sula.

Ky i fundit në një reagim të bërë në Facebook, sheh me shqetësim shifrat e publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, ku theksohet se 16 mijë të rinj braktisën Shqipërinë vetëm vitin e kaluar duke u larguar me gomone.

Sula thotë se edhe Rama e ka kuptuar tashmë se është tepër vonë në rritjen e pagave, teksa pa se si të rinjtë po braktisin vendin.

  • foto galeri

Reagimi i plotë:

Përgjigja se përse mazhoranca zëvendësoi qytetarët me pemë dje në fushatë.

16 mijë të rinj braktisën Shqipërinë vetëm vitin e kaluar për të kaluar me gomone në Britani. Theksoj se këta 16 mijë janë vetëm ata të cilët janë paraqitur në një nga kapet e refugjatëve atje për të kërkuar azil. Shifrat janë zyrtare nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar.

Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar).

Edhe më tragjike e bën situatën fakti se 72% e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç. Përkatësisht gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç.

Qeveria u kujtua vonë të rris pagat në Shqipëri. U kujtua ta bënte këtë kur pa që edhe emigrantët nga Siria, Pakistani apo vende të tjera të treta nuk qëndronin në Shqipëri. Provonin 3 muaj dhe më pas largoheshin. Por tani është vonë.

Është vonë dhe këtë e kuptoi edhe vet mazhoranca pasi qytetarët në fushatë i zëvendësoi dje me pemë. Në mungesë të njerëzve dje në fushatë mori pemë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb