NGA JETON SELIMI

Partizani ka zhvilluar një 90 minutësh shumë të mirë ndaj Red Bull Sacburgurt të mërkurën e shkuar, por kjo nuk mjaftoi që të besuarit e Adolfo Sormanit të merrnin një rezultat pozitiv ndaj milionerëve austriakë. Një penallti ndëshkoi të kuqtë, të cilët zhvilluan një tjetër lojë shumë të mirë, duke ruajtur njëtrajtshmërinë si dhe në përballjet ndaj Slovan Bratislavës apo Ferencvaroshit. Madje ka shumë që mendojnë se 90 minutëshi i fundit në “Elbasan Arena” ishte edhe loja më e mirë që Partizani ka luajtur në këtë edicion në Kupat e Europës.

Një nga këta është edhe Ylber Ramadani, 19-vjeçari që iu bashkua të kuqve në janar nga Drita e Gjilanit ka shpërthyer në drejtimin e Sormanit, duke merituar një vend titullari dhe duke zhvilluar paraqitje mbresëlënëse.

“Ndaj Salcburgut kemi bërë një ndër ndeshjet më të mira duke përfshirë edhe gjithë sezonin e kaluar. Jemi përballur denjësisht me një ekip që ka miliona dhe buxhet super të fuqishëm dhe kemi dominuar. Humbja erdhi si rezultat i një episodi, por për mendimin tim ka të bëjë eksperienca. Të mos harrojmë se po flasim për një ekip që është kampion absolut i Austrisë dhe ka krijuar identitetin e tij edhe në Europë”, thotë Ylberi.

Mesfushori i ri, që në pjesën e dytë të kampionatit më së shumti është aktivizuar në radhët e Partizanit B, ka besim se Partizani mund t’ia dalë të befasojë dhe në Austri. Të kuqtë ishin të eliminuar në Budapest me Ferencvaroshin, por një gol i ktheu ata në lojë dhe më pas u kualifikuan pas goditjeve të penalltive. “Për ndeshjen e kthimit kemi besim se mund t’ia dalim. Ndeshja e fituar në Hungari na ka bërë që të besojmë deri në fund. Mund të shënojmë dhe të tentojmë për më tepër. Asgjë nuk është e pamundur për skuadrën tonë, pasi kemi besim. Qëndrojmë me këmbë në tokë dhe e dimë se janë shumë më lart, por nuk na stepin aspak austriakët. Kemi ndërtuar një ekip që tremb çdo kundërshtar”.

Në fund dy fjalës, Ramadani tregon dhe momentin e mirë që po kalon dhe se konkurrenca nuk e tremb, por e shtyn që të japë më të mirën nga vetja. “Nuk i trembem konkurrencës, pasi unë bëj punën dhe detyrën time. Do mundohem të jap maksimumin gjithmonë dhe në bazë të kësaj t’ia dal mbanë. Do jap maksimumin për Partizanin dhe do të jem gjithmonë i gatshëm për skuadrën dhe trajnerin kur të ketë nevojë. Skuadra është në formë dhe kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë takim. Do mundohemi të bëjmë maksimumin për këtë ndeshje dhe jam i sigurt se do ja dalim”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: