Në emisionin “Kjo Javë” në News24, ishte sot I ftuar imami viral i rrjeteve sociale, Ahmed Kalaja.
Muajin e shenjtë të Ramazanit, që nisi dy ditë më parë, Kalaja e ka quajtur një dhuratë dhe sakrifica e agjërimit sipas tij është e vogël në krahasim me përfitimet shpirtërore që ka.
“Ramazani është dhuratë, nëse e shohim në kuptimin e mirësisë së marrëdhënies me Zotin. Nëse e shohim në kuptimin e materies është sakrificë. Kur mendon njeriu për benefitet në fakt kupton që është dhuratë. Kur mendon që sakrifica e vogël shpërblehet me parajsë, ia vlen sakrifica. Zoti e ka zgjedhur këtë muaj si muajin e Kuranit. Profeti thotë: Ramazani është një muaj i begatë i mbushur me mirësi. Është muaji kur djajtë lidhen. Njeriu ka materien dhe shpirtin, ne e lodhim shumë shpirtin me materien dhe këtë muaj shpirti ynë çlirohet. Gjithë sekreti i njeriut është te shpirti i tij”, tha ai.
Kalaja ka renditur edhe gabimet më të shpeshta që kruhen gjatë këtij muaji nga besimtarët.
“Gabimet më të shpeshta janë ato që bëhen pa dashje, që konsumojnë diçka pa mendje. U ndodh të gjithëve. Mund të qëllojë një ditë të hamë apo pimë diçka. Profeti thotë që nëse kjo ndodh ta marrë si dhuratë nga Zoti e mos ta prishë ditën e agjërimit.
Gabimi që bëhet tjetër është mos përcaktimi i qartë i qëllimit të agjërimit.
Duhet të përcaktohet që sakrifica bëhet në emër të Zotit e jo për dietë apo për traditë”, tha ai.
Moshë minimale kur lejohet që të nisë agjërimi, që përkon sipas tij me periudhën e pubertetit, kohë kur edhe agjërimi bëhet i detyrueshëm.
“Problem është mosha e vjetër që nuk pranojnë të mos agjërojnë. Më merr një ditë një në telefon që babait të tij nuk ia kishte lejuar doktori agjërimin. Por nuk i mbushej mendja të mos agjëronte. Ushqimi i një të varfri çdo ditë për shembull është kompensim për mos mundësinë e agjërimit. Të sëmurët e përkohshëm i mbushin ditët më vonë, port ë sëmurët kronikë nuk e kanë detyrim agjërimin. Nuk duhet të ndjehen keq, sepse vetë Zoti nuk ka qëllim t’i rëndojë. Qëllimi i agjërimit nuk është thjeshtë të rrimë pa bukë dhe ujë, por duhet devotshmëri dhe korrektesë. Është një problem edhe i fëmijëve që duan të agjërojnë por ne i ndalojmë. Mirë është të mësohen që të agjërojnë për shembull mosha 11 vjeçare. Obligim është mosha e pubertetit, 14-15 vjeçare. Unë vetë e kam nisur agjërimin e parë në moshën 13-14 vjeç. Që nga ajo moshë e kam mbajtur çdo vit”, tha ai.
