Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi me anë të një postimi në Facebook ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e ministres Olta Xhaçka, teksa shkroi se kryeministri Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit.

Sipas tij kërkesa që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua, ndërsa shtoi se tani Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.

Sakaq, Bardhi e cilësoi këtë vendim si vetëm aktin e parë të një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.

Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi! Trajtimi i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia”, shkroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb