Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë, foli për krizën politike në Kosovë.
Ai gjithashtu foli edhe për periudhën kur si kryeministër arriti të krijojë Ushtrinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë të mohuar historikisht për popullin e Kosovës.
Sipas Haradinajt, Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes dhe Kosova nuk duhet të jetë kurrë burim krize.
Po ashtu shtoi se duhet asnjëherë të jemi burim destabilizimi apo krize që nuk është e domosdoshme për Kosovën ose për aleatët e vendit.
“I jemi mirënjohës Administratës Trump që ka qenë në mbështetje tonën, dhe i falënderoj për besim e përkrahje edhe plot vende tjera anëtare të NATO-s. vërtetë që ka pasur skeptikë, e besoj që ka ende. E lidhnin me 1244, ose me ndryshim të Kushtetutës… por, përkundër shqetësimeve që i kanë pasur plot se krijimi i Ushtrisë së Kosovës mund të jetë destabilizim, si për Kosovën ku funksionojnë shumë ushtri që janë pjesë e KFOR-it, ose destabilizim rajonal që do të ketë reagime në rajon, besa u mendoke që edhe në veri mund të ketë reagime. Por, u arrit që Ushtria e Kosovës është e paqes, që ne jemi të fundit që e kemi fituar paqen dhe do të jemi të fundit që do ta lëshojmë paqen”, deklaroi Haradinaj.
