Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar ashpër pas publikimit të dokumentit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë në lidhje me çështjen McGonigal, ku përmenden edhe lidhjet me Shqipërinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjoni ka ngritur akuza të forta ndaj Kryeministrit duke e lidhur emrin e tij me pastrim parash dhe bashkëpunim me kartelet e drogës.
“DASH damkos Edi Ramën si Bankën private të karteleve të drogës, që me firmën e tij marrin leje për kulla e resorte. Dumani e ka dosjen gati!” shkroi Gjoni në reagimin e tij.
Sipas tij, grupe kriminale shqiptare kanë përfituar garanci direkte nga kryeministri Edi Rama për të pastruar paratë në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, duke e kthyer këtë praktikë në një shqetësim serioz edhe për autoritetet amerikane.
Gjoni thotë se Kreu i SPAK, Altin Dumani, është thirrur në takim në Departamentin e Shtetit të SHBA, ku është diskutuar konkretisht për rolin e këtyre grupeve dhe lidhjet e tyre me Shqipërinë.
“Kartelet shqiptare të cilat kanë marrë garanci nga Edi Rama për pastrimin e parave në ndërtim janë kthyer në një shqetësim për SHBA-në,” thekson ai.
Më tej, demokrati akuzon Kryeministrin për manipulim të zgjedhjeve përmes financimeve të dyshimta dhe blerje votash në disa procese zgjedhore.
“Paratë e trafikut të drogës kanë blerë vota në 2019, në 2021, në 2023 dhe në 2025,” – shkruan Gjoni, duke përfshirë edhe vitin e ardhshëm, i cili përkon me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në fund të reagimit të tij, Gjoni shprehet se kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është vënë përballë provave të pakundërshtueshme, duke lënë të nënkuptohet se vijon një presion ndërkombëtar për zbardhjen e çështjes.
