Informalitet i lartë në sektorin e biznesit, korrupsion si dhe pengesa për investitorët e huaj, këto shqetësime evidentoheshin në raportin e Departamentit Amerikan i Shtetit për Shqipërinë gjatë vitit 2025. Qeveria shqiptare nuk e kundërshton këtë raport por thotë se për të gjitha këto shqetësime të ngritura do të zbatojë një plan trevjeçar për reduktimin e parasë ‘cash’ në ekonomi, si pjesë e luftës kundër informalitetit dhe përmirësimit të klimës së investimeve. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se është një plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria dhe që do miratohet në bashkëpunim me aktorët e tjerë, Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar.

“Në 4-vjecarin e ardhshëm, dhe sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi, është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi. Sipas Ibrahimajt, masat do të synojnë luftën ndaj ekonomisë informale, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe përmirësimin e klimës së investimeve në vend.”, tha ministrja.

“Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.”, tha Ibrahimaj. Vitet e fundit qeveria ka orientuar shërbimet publike online, por pagesat dhe transaksionet në ekonomi dominojnë me para fizike, cash. Por a është gati ekonomia jonë të reduktojë përdorimin e parasë fizike dhe të orientohet drejt pagesave elektronike? Më herët kryeministri Rama tha se ky objektiv do të jetë viti 2030.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb