Presidenti i Institutit “Gramoz Pashko”, Preç Zogaj, në një lidhje skype në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar raportin e publikuar ditën e djeshme nga DASH ku janë evidentuar disa nga problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2022.

Zogaj u shpreh se raportin e sheh të drejtë dhe objektiv, që vë gishti aty ku janë problemet më të mprehta me të cilat po përballet vendi ynë.

“Në vazhdën e raporteve të përvitshme, Raporti për 2022 i DASH skanon gjendjen e përgjithshme të Shqipërisë, evidenton ndonjë  arritje, por çfarë  është më e rëndësishme edhe për publikun raporti  fukusohet në   problematikat  më të mprehta të vendit gjatë  vitit 2022. Që janë  korrupsioni, drejtësia  dhe mediat.

Raporti mbështetet mbi informacione të një game te gjere, jo vetëm në një korsi.

Nëse flasim për median, aty shohim se bëhet dallimi mes medias së lirë dhe asaj të pavarur. Raporti thotë se në vendin tonë ka media të lira, por jo të pavarura. Raporti konstaton se media është në duar sipërmarrësish që shërbejnë interesat e  tyre me ekzekutivin. Gjen pasqyrim gjithashtu edhe problemi i hakmarrjes  së pushtetit ndaj mediave  kritike siç është shembja e Prestige Resort.

Me kënaqësi konstatoj se raporti i bën jehonë qëndrimeve që kanë mbajtur ndaj këtij rasti flagrant gazetarët e analistët objektivë Shembja e këtij resorti cilësor me një të rënë të kalemit, në kuptimin e vendimit, ishte  qartazi që ishte një akt ndëshkues  kundër linjës editoriale të News24, BalkanWeb, Panorama.

Nuk ka dyshim se qeveria do paguajë për këtë jo vetëm në aspektin moral, siç po paguan me  pasqyrimin në raportin e  DASH të rastit, por edhe ekonomikisht. Sepse vendimi është marrë  në kundërshtim me ligjet e vendit. Nuk mund të ketë Shqipëria legjislacion që nuk mbron investime kaq të mëdha, në dritë të diellit, që kanë punuar për një kohë të gjatë, pa krijuara asnjë shqetësim.

Buxheti i shtetit do duhet të paguajë  një ditë arrogancën e kryeministrit në shembjen e resortit. Raporti në tërësi është shumë I dobishëm për Shqipërinë , tha Zogaj.

Mënyra më e mirë për ta zhvlerësuar është leximi  me syzet partiake dhe interesat personale të aktorëve politike, ku secila palë i bën jehonë asaj që i shkon për shtat duke injoruar pjesën tjetër.

Duke përmendur dobësitë e sistemit gjyqësor, raporti shënjestron thirrjet kundër drejtësisë. Dhe ne jemi dëshmitarë  të fushatave  verbale  deri me kërcënime  kundër drejtësisë. A ka një politikan apo  një forcë politike që e gjen vetëm te kjo pjesë e raportit? Padyshim që po. Publiku e di mirë për kë e ka fjalën raporti.

Nga ana tjetër po ky raport bën disa vlerësime pozitive për SPAK. Nuk dëgjova asnjë palë t’i bëjë jehonë këtij paragrafi. Pse?  Sepse një pjesë e opozitës është në betejë me SPAK-un, madje i kanë ndryshuar edhe emrin. Opozita e ka në favor forcimin dhe konsolidimin e SPAK edhe kur godet në radhët e saj. Sepse ne këtë mënyrë e ndihmon të pastrohet. Por kur  drejtuesit janë edhe problemi  ndodh ajo që në vend që të mbështetet, SPAK sulmohet”, tha Zogaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb