Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pjesë e Paketës së Zgjerimit 2025.

Gjatë takimit, të dy diskutuan të mbi gjetjet e raportit dhe hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe theksoi përkushtimin e institucioneve shqiptare për të vijuar me vendosmëri në përmbushjen e prioriteteve të integrimit evropian.

Ai nënvizoi gjithashtu progresin e bërë gjatë vitit të fundit në hapjen e grupkapitujve të negociatave dhe rëndësinë e vijimit të reformave thelbësore në përputhje me standardet dhe parimet themelore të Bashkimit Evropian.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me institucionet evropiane është kyç për të përshpejtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Presidenti Begaj e cilësoi procesin e integrimit një aspiratë kombëtare dhe strategjike për të ardhmen e vendit, që kërkon angazhim dhe unitet nga të gjitha institucionet dhe faktorët politikë e shoqërorë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb