Dëbimi i gazetarëve të News24 nga ambientet e punës në gusht 2025, nën pretekstin e një mosmarrëveshjeje pronësie, është pjesë e raportit të SELDI-t dhe Qendrës për Studimin e Demokracisë, në pjesën që trajton përzënien e mediave të pavarura për t’u hapur rrugë projekteve shtetërore jotransparente në Shqipëri.
Në materialin e raportit, ngjarja lidhet me ndërhyrjen e forcave të policisë dhe ushtrisë në ambientet e grupit mediatik Focus Media në Tiranë, më 9 gusht 2025. Gjatë operacionit u ndërpre transmetimi i televizionit News24 dhe rreth 230 punonjës të medias u penguan të hynin në redaksitë e tyre.
Sipas raportit, ndërhyrja u krye nën pretekstin e një mosmarrëveshjeje pronësie, ndërsa ambientet lidhen me shoqërinë KAYO sh.a., një kompani shtetërore e krijuar në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë ushtarake. Materiali e vendos këtë ngjarje në kontekstin e shqetësimeve për përdorimin e veprimeve shtetërore që çojnë në largimin e mediave të pavarura nga ambientet e tyre të punës.
Rasti shkaktoi reagime edhe në nivel ndërkombëtar. Më 25 gusht 2025, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dhe organizata partnere për lirinë e medias i drejtuan një letër të hapur autoriteteve shqiptare, duke kërkuar rikthimin e gazetarëve në ambientet e punës ose, të paktën, garantimin e aksesit të tyre te pajisjet profesionale.
SELDI (Southeast Europe Leadership for Development and Integrity), është Rrjeti i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet, një koalicion rajonal i organizatave të shoqërisë civile që merret me luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë; monitoron zhvillimet në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë; harton raporte dhe analiza mbi korrupsionin, kapjen e shtetit dhe funksionimin e institucioneve.
Pjesë nga raporti:
Përzënia e mediave të pavarura për t’u hapur rrugë projekteve shtetërore jotransparente në Shqipëri
Më 25 gusht 2025, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dhe organizata partnere për lirinë e medias dërguan një letër të hapur, përmes së cilës u kërkuan autoriteteve shqiptare të siguronin rikthimin e gazetarëve në ambientet e punës ose të paktën t’u garantonin aksesin te pajisjet e tyre në grupin mediatik Focus Media në Tiranë.
Kjo kërkesë erdhi pas një bastisjeje të kryer më 9 gusht 2025, gjatë së cilës forcat e policisë dhe ushtrisë ndërprenë transmetimin e televizionit News24 dhe penguan rreth 230 punonjës të medias të hynin në redaksitë e tyre, nën pretekstin e një mosmarrëveshjeje pronësie.
Veprimi i dëbimit i ndërmarrë nga shteti synonte marrjen nën kontroll të ambienteve, të cilat i përkisnin shoqërisë KAYO sh.a., një kompani shtetërore e krijuar në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë ushtarake.
