Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar raportin IBAR dhe procesin e integrimit të Shqipëri në Bashkimi Europian, duke deklaruar se mosmiratimi i raportit nga Brukseli përbën një sinjal negativ për qeverinë shqiptare.
Nesho, në një bisedë për ‘Programin e drekës’ në News24 me gazetaren Ola Brukon, raporti është “një lajm i keq”, pasi evidenton problematika serioze që lidhen me shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura dhe standardet demokratike që kërkon BE-ja. Ish-diplomati tha se, ndonëse qeveria shqiptare nuk ka qenë transparente me opinionin publik mbi përmbajtjen e diskutimeve në Bruksel, nga informacionet gjysmëzyrtare rezulton se disa vende europiane kanë ngritur shqetësime serioze për situatën në Shqipëri.
Ai përmendi veçanërisht Gjermani dhe Holandë si shtete që, sipas tij, kanë shfaqur rezerva lidhur me standardet demokratike dhe funksionimin e institucioneve në vend. Nesho akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dëmtuar sistemin e drejtësisë dhe ka krijuar një klimë ku, sipas tij, “shteti i balancës nuk funksionon”. Nesho komentoi edhe çështjet që lidhen me korrupsionin në qeveri, duke përmendur emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, procesi i integrimit mund të ecë përpara vetëm nëse ka vullnet real politik për të përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian.
“Raporti IBAR është lajm i keq. Zoti Rama në mënyrë të hapur nuk zbaton ato kritere kryesore që bëjnë të mundur afrimin e Shqipërisë me BE. Siç është kapitulli i shtetit të së drejtës, i institucioneve të pavarura. Në njoftimet gjysmë zyrtare, pasi qeveria shqiptare duhej të ishte e hapur me opinionin publik shqiptar, dimë se kanë ngritur një shqetësim serioz, si Gjermania, Holanda, por dhe shtete të tjera. Shteti shqiptar është shumë larg standardeve që BE kërkon. Ka një problematikë të madhe Shqipëria, pavarësisht deklarimeve. Pasi çështja e BE është nisur si kalë beteje e mandatit të 4 për Ramën. Gjermania është tepër e fokusuar te integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, ndaj ka dhe shumë ndikim. Faktet janë pasur me kohë nga BE, i kemi dëgjuar në parlamentin europian. Gjithmonë është parë me pozitivitet çështja që duhet që ky rajon nga pikëpamja gjeopolitike të futet në BE që mos të përdoren nga influencat e tjera jo europiane. Ndaj në këto momente Rama goditi drejtësinë dhe bëri të pamundur që të mos të mbylleshin sytë nga këto vende të BE. Ka një shtyrje, që është brenda këtij viti. Nuk mendoj se mund të mos arrihen kompromise, por kërkojnë vullnet politik. Duhet të merret seriozisht ky proces nga zoti Rama. Ai është mësuar që anëtarët e kabinetit të tij që janë kapur në korrupsion, t’ia japë drejtësisë. Çështja “Balluku” është çështja Rama. Mund të jetë Rama që do të takojë liderët e BE, mund të justifikohet dhe të thotë se; e kam hequr Ballukun nga postet drejtuese. Por shteti i balancës nuk funksionon.”, tha ai.
