Shqipëria është pozicionuar si një nga vendet lider në rajon në prokurimet publike, menaxhimin e financave publike, qeverisjen digjitale, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e administratës publike, sipas raportit të monitorimit të OECD/SIGMA.

Gjetjet e raportit u prezantuan në një aktivitet ku mori pjesë edhe Gregor Virant, Drejtues i Programit OECD/SIGMA.

Virant vlerësoi digjitalizimin si pikën më të fortë të Shqipërisë, duke theksuar progresin e madh dhe qasjen inteligjente në miratimin e elementëve kryesorë të qeverisjes digjitale. “Jeni shumë pranë mesatares së BE për këtë indikator,” tha ai.

Një tjetër aspekt pozitiv është legjislacioni i përafruar me rregullat e Bashkimit Evropian. “Pikëzimi juaj sa i takon legjislacionit është 81% i përafruar me BE, një nivel shumë i lartë,” shtoi Virant.

Gjithashtu, raporti vuri në dukje se administrata publike shqiptare ka një udhëheqje të fortë politike dhe se nëpunësit civilë janë relativisht të kënaqur me punën e tyre. Sipas gjetjeve, 86% e tyre ndihen të angazhuar dhe të kënaqur.

Megjithatë, raporti evidentoi edhe disa sfida që duhen adresuar. Sipas Virant, një problem mbetet niveli i lartë i drejtuesve në administratën publike që nuk plotësojnë plotësisht standardet e bazuara në meritokraci. Ai theksoi nevojën për një reformë që të garantojë kompetencën si një kriter bazë.

Një tjetër çështje është mungesa e besimit midis ministrave dhe drejtuesve të nivelit të lartë, e cila sipas OECD/SIGMA duhet të bëhet më funksionale. Po ashtu, raporti thekson një numër të madh çështjesh administrative të mbartura në gjykata, të cilat lidhen me mbrojtjen e bizneseve dhe qytetarëve kundrejt administratës publike.

Në lidhje me korrupsionin, Virant tha se matja e perceptimit nuk pasqyron gjithmonë realitetin, por vuri në dukje një përvojë personale me korrupsionin në administratën publike. “Nëse 33% e bizneseve besojnë se korrupsioni është një praktikë sistematike, atëherë ky është një problem serioz,” u shpreh ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb