Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, zhvilluan një seancë dëgjimore të përbashkët për raportimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për vitin 2024.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, njoftoi se gjatë këtij viti janë miratuar shtatë raporte periodike për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve, një raport për drejtuesit dhe një raport i përshpejtuar. Ajo sqaroi se vlerësimi bazohet në katër kritere kryesore: aftësitë profesionale, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin profesional, si dhe aftësinë personale dhe përkushtimin.

Bogdani bëri me dije se deri tani janë miratuar në total 41 raporte vlerësimi, ndërsa objektivi i vendosur nga partnerët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian është arritja e 55 raporteve deri në fund të vitit.

Kryetarja theksoi gjithashtu se KLP ka vijuar në mënyrë intensive procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë për 25 kandidatë që kanë ndjekur formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin 2024-2025. Nga ana tjetër, 23 kandidatë kanë përfunduar këtë formim, ndërsa për 9 kandidatë janë kryer procedurat për pozicione drejtues në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Sa i përket sfidës së menaxhimit të vakancave në sistemin e prokurorisë, Bogdani deklaroi se gjatë vitit 2024 numri i prokurorëve në detyrë ishte 218 nga 341 të parashikuar, duke përbërë rreth 64% të stafit, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga vakanca të përhershme dhe të përkohshme.

Në lidhje me proceset e emërimeve dhe ngritjeve në detyrë, Bogdani njoftoi se gjatë vitit 2024 KLP ka realizuar tre ngritje në detyrë në pozicione drejtues prokurorësh dhe dy riemërime në pozicione drejtuese. Gjithashtu, tetë prokurorë janë transferuar me pëlqim në prokuroritë e tjera për të balancuar ngarkesën e punës.

Për ngritjet në detyrë në SPAK, ajo theksoi se Këshilli ka finalizuar procesin për tre prokurorë, duke përmbushur numrin prej 20 prokurorësh në këtë strukturë. Përveç këtyre, 23 prokurorë të diplomuar në vitin 2024 janë emëruar dhe caktuar në detyrë, duke kontribuar në plotësimin e vakancave në sistem.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb